Nga Ilir Yzeiri

Sali Berishën e përjashtuan nga Partia Demokratike, por « berishizmi » si mendësi dhe si filozofi e ligjërimit politik në Partinë e mbetur Demokratike, është çimentuar në « djalin » politik të Berishës që është Lulëzim Basha. Gjithnjë e më shumë ai po zbehet në sy të opinionit dhe po shfaqet si një jetim politik që i kanë mbetur çelësat e godinës në dorë dhe nuk di çfarë të bëjë me to.

Aksioni politik i Lulëzim Bashës pasi përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, i ngjet krekosjes dhe performancës së heroit të realizmit socialist që ndërtohej nga ligjërimi politik pas çlirimit, i cili vinte përpara mullinjtë e erës dhe u shpallte luftë të gjithëve, armiqve të brendshëm dhe atyre anash duke u bërë i pabesueshëm dhe duke na kujtuar të gjithëve se jeta është vetëm luftë. Lulëzim Basha është i paaftë dhe mediokër politik. Që kur ka hyrë në jetën publike të vendit ai ka artikuluar vetëm një argument : luftën kundër korrupsionit dhe luftën e luftën e luftën deri në lodhje.

Njeriu që kopjoi si formë të paraqitjes së alternativës politike berishizmin – një filozofi që mbështetet te nxirja e kundërshtarit, te vizatimi i një realiteti në vend që të ngjajë me vendet e humbura të Afrikës dhe ato ku njerëzit hanë njerëzit nëpër rrugë, ky njeri, nga tragjik që mendoi se do të na shfaqej në fillim, tani është bërë një komik që nuk të bën as për të qeshur as për të qarë, thjesht të bezdis. Po pse ?

Që kur është ndarë me Berishën, aksioni i tij i vetëm politik janë bërë plehrat ose inceneratorët. Për këtë ka kërkuar dhe ka ngritur një Komision Parlamentar hetimor dhe në krye të këtij Komisioni ka vendosur Jorida Tabakun, deputeten që ka blerë një vilë nga ndërtuesi i shkollës « Sami Frashëri » të clit i shkonte te kantieri dhe e akuzonte për korrupsion. Ndërkohë, SPAK-u ka nisur hetimin për këtë aferë dhe deri tani ka përfunduar në qeli ish-ministri Lefter Koka e janë në kërkim dy të tjerë.

Paralelisht me këtë, Komisioni i Lulëzim Bashës në Parlament po na e neverit gjithçka, sepse ai e ka bërë hetimin një spektakël bajat dhe në krye të këtij hetimi është Tabaku dhe disa tabakë të tjerë të përfolur për korrupsion që të kujtojnë gjyqet popullore që bëheshin nga komunistët pas çlirimit të vendit. Tani opinioni nuk di kë të besojë, SPAK-un që po heton apo prokuroren Monika Kryemadhi e Jorida Tabaku që na shfaqen çdo ditë në televizor duke demaskuar armiqtë e revolucionit antikorrupsion që po udhëheq Lulëzim Basha.

Kjo zhurmë e neveritshme që po shkallon miletin jo vetëm që nuk ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, por tregon se berishizmi si mendësi është e vetmja ideologji që frmyëzon djalin jetim të PD-së – Lulëzim Basha. Pse? Sepse me këtë aksion ai zhvlerëson institucionet e reja të drejtësisë që janë ngritur dhe po hetojnë, sepse ai po bëhet qesharak duke dubluar prokurorinë me mënyrën se si e bën atë hetim ai Komision i ngritur prej tij. Atij Komisioni i mungon dinjiteti, i mungon personaliteti, i mungon gjithçka.

Protagonizmi i shpifur me vizitat në vendet ku do të ngrihen inceneratorët të kujton përsëri vizitat e prokurorëve të komunizmit në shtëpitë e viktimave dhe triumfin banal të tyre. Dhe e fundit. Lulëzim Basha është një nga të akuzuarit e mëdhenj për korrupsionin me « Rrugën e Kombit ». Vepra e tij kriminale e abuzimit me mbi 300 million euro në « Rrugën e Kombit » nuk është mbyllur ende pavarësish se ai i shpëtoi asaj me procedurë. Kjo qeveri që Lulëzim Basha dhe të tijtë e quajnë të korruptuar dhe kriminale dhe ky kryeministër që e drejton atë, jo vetëm që kanë krijuar një klimë tjetër politike, por janë ndarë njëherë e mirë me mosndëshkueshmërinë.

Ata i kanë dhënë besim drejtësisë dhe nuk kanë marrë në mbrojtje askënd. Dy ministra, një kryebashkiak dhe dhjetëra e dhjetëra zyrtarë të PS-së kanë përfunduar në qeli. Kjo tregon se Edi Rama në krye të kësaj mazhorance ka krijuar besim në opinion sepse ai dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë ndikim në institucionet e drejtësisë. Ndërsa Lulëzim Basha dhe PD-ja e tij dhe ajo e Berishës vijnë nga një kohë kur bënin ligjin mbi drejtësinë.

Ty, Lulëzim Basha të ka shpëtuar Sali Berisha nga procedimi penal ashtu siç shpëtoi edhe Ilir Metën. Ti dhe ata që të ndjekin ty jini bërë qesharakë sepse jo vetëm që nuk kini moralin për të luftuar korrupsionin, por jini vetë të pandehur. Ti i pari duhet të paraqitesh në gjykatë dhe të japësh llogari për abuzimin me « Rrugën e Kombit ». Ndërsa afera jote e financimit të paligjshëm të PD-së që po hetohet në SHBA nuk do të mbyllet dhe për atë duhet të përgatitesh mirë. Spektakli i neveritshëm që po bëni me komisionine plehrave po na bind të gjithëve se jo vetëm nuk kini ide, por nuk kini as mundësi të përballeni me sfidat reale që ka ky vend.

Jini i dënuar të shuheni bashkë me berishizmin. Nëse Berisha është shpallur « non grata » nga SHBA-ja, ty ka kohë që publiku dhe elektorati jo vetëm që nuk të beson, por është i trishtuar sepse tani që përzure Berishën do të rrish aty deri sa të shkrihet PD-ja përfundimisht, sepse ti nuk ke më shumë mend sesa një prokuror i Berishës i diplomuar në kursin 6-mujor të Plepave.