Nga Hamallaj, ku prezantoi kandidatin Ardi Muka, për bashkinë e Durrësit, Sali Berisha sulmoi kandidatët e tij rivalë në këtë garë si dhe kryeministrin Edi Rama dhe Lulzim Bashën.

Mes të tjerash, Berisha ftoi të gjithë demokratët të mos i japin asnjë votë PD te drejtuar nga Basha, të cilin e konsideroi një lider të dobët që shkon nga humbja në humbje.

“Nuk duhet të heqim dorë nga përpjekjet për ndryshim. Duhet t’iu kthejmë shpresën të rinjve. Të mos ia lemë në dorë një njeriu që po shkatërron vendin, për të cilin ka rëndësi aleanca me Beogradin. Përvec përfaqësuesit të Ramës garon dhe përfaqësuesi i Bravës dhe ai është Luan Monopoli. Luan Monopoli pasurohet me monopolin e paligjshëm që i ka firmosur Rama.

Rama ka zgjedhur këtë demokrat për t’i dhënë shërbimet portuale nga Saranda në Shëngjin. Në shtator pret të rinovojë kontratën për monopolin dhe imagjinojeni sesa do të mbrojë interesat tuaja. Asnjë votë për logon e konfiskuar të PD që Rama me policë ia dha Lulzim Bravës.

Çfarë lideri është Lulzim Brava? Këdo të pyesësh të thotë është lider i dobët. Nuk fitohet me të. Njëherë thotë janë zgjedhje të rëndësishme njëherë thotë nuk janë. A mundet të votohet një njeri që kalon nga humbja në humbje”, tha Berisha.