Partia Demokratike përmes një postimi në Facebook, ka shpërndarë sot një video ku shkruan se Sali Berisha u strehua te partia e Ilir Metës, dhe po i përdor demokratët për hallet e tij dhe të ilir Metës. Kjo video vjen fill pasi Komisioni i Rithemelimit të PD-së i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, LSI dhe Partia Demokristiane e Nard Ndoka kanë depozituar sot në KQZ një marrëveshje për të formuar një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit.

“Shqipëria duhet të ndahet nga politika e vjetër që gjithçka e ka në funksion të interesave personale të politikanëve. Sot Sali Berisha u strehua te partia e Ilir Metës, e po i përdor demokratët për hallet e tij dhe të ilir Metës.

Demokratët e kanë kuptuar se Sali Berisha dhe Ilir Meta po i përdorin, prandaj çdo ditë demokratët po dinstancohen nga farsa Berisha.

Tashmë jo vetëm për demokratët por për të gjithë shqiptarët është e qartë se nëse zgjedh Berishën e Metën merr Ramën, nëse zgjedh Ramën merr Berishën dhe Metën” shkruhet në postimin e PD-së.