Nga Henry A. Kissinger/

Diplomati Henry A. Kissinger ka qenë Sekretar i Shtetit i SHBA-së në presidencën e Richard Nixon dhe ka fituar çmimin Nobel për Paqen në vitin 1973 për realizimin e marrëveshjeve të Luftës së Vietnamit.

Debati publik mbi Ukrainën është i përqendruar tek konfrontimi, por a e dimë se ku shpie kjo? Gjatë jetës sime, kam parë katër luftra që kanë filluar me entuziazëm dhe mbështetje të madhe publike dhe të gjitha syresh nuk dinim si t’i përfundonim, e në tre prej tyre u tërhoqëm në mënyrë të njëanshme. Testi i një politike është si ajo përfundon, jo si fillon.

Shumë shpesh, çështja e Ukrainës paraqitet si një provë force: a do të bashkohet Ukraina me Lindjen, apo me Perëndimin? Por, nëse Ukraina dëshiron të mbijetojë dhe të prosperojë, ajo nuk duhet të jetë pararoja e njerës palë, kundër tjetrës. Ajo duhet të funksionojë si një urë mes të dyjave.

Nga njera anë, Rusia duhet të kuptojë që, ta detyrosh Ukrainën të pranojë statusin e shtetit satelit dhe për pasojë zhvendosjen sërish të kufijve të Rusisë, kjo do të ishtë njëlloj sikur Moska të përsërisë historinë e cikleve egoiste të presionit reciprok me Europën dhe Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, Perëndimi duhet të kuptojë që, për Rusinë, Ukraina nuk mund të jetë kurrë thjesht një shtet i huaj. Historia ruse ka nisur në atë që quhej Kievan-Rus. Feja ruse u përhap prej aty. Ukraina ka qenë pjesë e Rusisë prej shekujsh dhe historitë e tyre kanë qenë të ndërthurura edhe më herët. Disa prej betejave më të rëndësishme për lirinë e Rusisë, duke filluar nga ajo e Poltavës në vitin 1709, janë zhvilluar në territorin e Ukrainës. Flota e Detit të Zi – instrumenti i Rusisë për projektimin e fuqisë së saj në Mesdhe – ndodhet në Sevastopol të Krimesë, në bazë të një marrëveshjeje afatgjatë. Edhe disidentë të famshëm, si Aleksandër Solzhenicini apo Josif Brodski, kanë këmbëngulur që Ukraina është pjesë integrale e historisë së Rusisë dhe, në të vërtetë e vetë Rusisë.

Bashkimi Europian duhet të pranojë që vonesat burokratike dhe zhvendosja në plan të dytë e elementit strategjik në negociatat për marrëdhënien e Ukrainës me Europën në raport me politikat e brendshme të tij, i transformoi negociatat në krizë. Kujtoj që politika e Jashtme është arti i përcaktimit të prioriteteve.

Ukrainasit janë elementi vendimtar. Ata jetojnë në një vend me një histori komplekse dhe një përbërje poliglote. Pjesa perëndimore u përfshi në Bashkimin Sovjetik në vitin 1939, kur Stalini dhe Hitleri ndanë “pre”-në. Krimea, 60 përqind e popullsisë të së cilës është ruse, u bë pjesë e Ukrainës vetëm në vitin 1954, kur Nikita Hrushovi, një ukrainas, e dhuroi në kohën e festimeve të 300-vjetorit të një marrëveshjeje mes rusëve dhe kozakëve. Pjesa perëndimore e Ukrainës është kryesisht katolike, ndërsa ajo lindore është kryesisht ortodokse. Perëndimi flet gjuhën ukrainase, lindja flet kryesisht rusisht. Çdo përpjekje nga njeri krah i Ukrainës për të dominuar tjetrin – siç ka ndodhur – do të çojë drejt një lufte civile, apo ndarjeje. Të trajtosh Ukrainën si pjesë e një konfrontimi Lindje-Perëndim, do të thotë të dëmtosh, për dekada të tëra, çdo shans për të afruar Rusinë dhe Perëndimin – sidomos Rusinë dhe Europën – në një sistem ndërkombëtar bashkëpunues.

Ukraina ekziston si shtet i pavarur vetëm prej 23 vitesh. Më parë, qysh prej shekullit të 14-të, ajo është qeverisur nga rregulla të imponuara nga jashtë territorit të vet. Nuk është habi që udhëheqësit e saj nuk e kanë mësuar artin e kompromisit, e aq më pak atë të perspektivës historike. Politika e Ukrainës pas shpalljes së pavarësisë, tregon qartësisht se origjina e problemit qëndron tek përpjekjet e politikanëve ukrainas për të imponuar vullnetin e tyre mbi territore që nuk u binden atyre, fillimisht nga njëri grupim, e pastaj nga tjetri kundërshtar i të parit. Ky është thelbi i konfliktit mes Viktor Janukoviçit dhe rivales së tij kryesore në politikë, Julia Timoshenkos. Ata përfaqësojnë dy krahë të Ukrainës dhe nuk kanë qenë të gatshëm të ndajnë pushtetin. Një politikë e mençur e SHBA kundrejt Ukrainës, duhet të synojë të gjejë një mënyrë, që dy palët e vendit të bashkëpunojnë me njera-tjetrën. Ne duhet të kërkojmë pajtimin e palëve dhe jo dominimin e njerës pale mbi tjetrën.

Rusia dhe Perëndimi, e aq më pak palët në Ukrainë, nuk e kanë ndjekur këtë parim. Përkundrazi, secila palë e ka përkeqësuar situatën. Ndërkohë që Rusia nuk do jetë asnjëherë në gjendje të imponojë një zgjidhje ushtarake pa u vetëizoluar, aq më tepër kur shumë prej kufijve të saj janë tashmë të pasigurt, për Perëndimin, demonizimi i Vladimir Putinit nuk është politikë, por është një alibi për të justifikuar mungesën e një politike nga ana e tij në raport me Putinin

Putini megjithatë do duhet të kuptojë që, cilado qofshin pretendimet e tij, një politikë e re imponimi ushtarak do të prodhonte një tjetër Luftë të Ftohtë. Nga ana e vet, SHBA duhet të evitojë trajtimin e Rusisë si një nxënës i keq, të cilit i duhen mësuar me durim rregullat e sjelljes që i ka caktuar Uashingtoni. Bazuar në premisat e historisë së Rusisë, Putini dëshmon së është një strateg serioz. Sigurisht, të kuptuarit e vlerave dhe psikologjisë së SHBA nuk është pika e tij më e forte, por po kështu, edhe të kuptuarit e historisë dhe psikologjisë së Rusisë, nuk ka qenë ndonjëherë një pikë e fortë për politikëbërësit amerikanë.

Drejtuesit e të gjithë krahëve duhet t’i rikthehen shqyrtimit të rezultateve dhe jo t’i bëjnë konkurencë njeri-tjetrit me qëndrime.

Më në fund, ja cili është koncepti im që çon në një rezultat të pajtueshëm me vlerat dhe interesat e sigurisë të të gjithë palëve:

1. Ukraina duhet të ketë të drejtën të zgjedhë lirisht lidhjet e saj ekonomike dhe politike, duke përfshirë ato me Europën.

2. Ukraina nuk duhet të hyjë në NATO, pozicion ky që e mbajta edhe disa vite më parë, kur doli për herë të fundit kjo temë.

3. Ukraina duhet të jetë e lirë të krijojë një qeverisje që pajtohet me vullnetin e popullit. Më pas, udhëheqës të mençur ukrainas duhet të iniciojnë dhe zbatojnë një politikë pajtimi mes pjesëve të ndryshme të vendit. Në nivel ndërkombëtar, Ukraina duhet të kenë një pozicion të krahasueshëm me atë të Finlandës. Ky model garanton pavarësinë, realizon bashkëpunimin me Perëndimin në shumicën e fushave dhe shmang me kujdes konfliktet institucionale me Rusinë.

4. Është e papajtueshme me rregullat e rendit aktual botëror që Rusia të aneksojë Krimenë, por është e mundur që marrëdhënia e Krimesë me Ukrainën të jetë më pak e tensionuar. Nga njera anë, Rusia do të duhet të pranojë sovranitetin e Ukrainës mbi Krimenë, ndërsa Ukraina duhet të garantojë autonominë e Krimesë, përmes një procesi zgjedhor ku duhet të jenë të pranishëm vëzhgues ndërkombëtarë. Procesi duhet të përfshijë edhe eliminimin e çdo lloj paqartësie në lidhje me statusin e Flotës së Detit të Zi në Sevastopol.

Këto që përmenda më lart janë principe, jo receta. Ata që e njohin rajonin, e dinë mirë që jo të gjithë këta principe janë të pranueshëm për të gjitha palët. Aplikimi i tyre nuk ka për qëllim të arrijë kënaqësinë absolute, por të ekuilibrojë pakënaqësitë. Nëse nuk arrihet një zgjidhje e bazuar mbi këta principe, apo elementë të tjerë të ngjashëm, perspektiva e konfrontimi do të përshpejtohet. Koha do ta provojë këtë shumë shpejt.