Çmimet globale të ushqimeve janë rritur në një nivel rekord muajin e kaluar duke shtuar më tej koston e jetesës për konsumatorët.

Indeksi i çmimeve të Kombeve të Bashkuara u rrit 1.1% në janar, i nxitur nga shtrenjtimi i vajrave bimore dhe produkteve të qumështit.

Siç tregojnë të dhënat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, niveli i rritjes po i afrohet rekordit më të lartë të të gjitha kohërave, atij të vitit 2011, teksa moti i pafavorshëm për të korrat dhe pasojat nga një krizë energjetike mund të nxisë më tej rritjen e çmimeve.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se inflacioni ka njohur një rritje të jashtëzakonshme në të gjithë globin dhe kjo mund të rëndojë akoma më tej ekonominë e miliona familjeve në të gjithë botën.

“Segmentet më të varfëra të popullsisë do ta ndiejnë më shumë”, tha me telefon Josef Schmidhuber, zëvendësdrejtor për tregjet dhe tregtinë në Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë.

“Kostot e larta të energjisë dhe kostot e larta të ushqimit përbëjnë një pjesë të madhe të shpenzimeve të tyre të përgjithshme”, tha ai.

Sheqeri shënoi produktin e vetëm që u lehtësua gjatë muajit janar, ndërsa kostot për mishin, drithin, bulmetin dhe vajrat bimore u rritën.

Çmimet në rritje të energjisë kanë rritur koston e plehrave dhe karburanteve për fermerët. Kjo mund të detyrojë shkurtime në inputet e fermave, veçanërisht në vendet në zhvillim, të cilat mund të rrisin varësinë nga importet e të korrave.

“Inflacioni galopant ka nisur me energjinë dhe lëndët e para dhe po ecën tani drejt çmimeve të konsumit,” tha një ekspert i OKB.

Burimi: Al Jazeera