Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha të mërkurën, më 23 shkurt, se i ka kërkuar rregullatorit britanik të rishikonte licencën e transmetimit të kanalit rus të lajmeve Rusia Sot (RT) pasi Moska njohu dhe urdhëroi dislokimin e trupave në rajonet separatiste të Ukrainës lindore.
I pyetur në Parlament nëse do t’i kërkonte rregullatorit Ofcom të rishikonte licencën e RT, Johnson u përgjigj: “Unë besoj se … Sekretari i Shtetit për Kulturën, Median dhe Sportin i ka kërkuar tashmë Ofcom-it që ta shqyrtojë këtë çështje.”
“Por ajo që do të them … është se ne jetojmë në një demokraci,” shtoi ai.
“Ne jetojmë në një vend që beson në fjalën e lirë. Dhe mendoj se është e rëndësishme që ne duhet t’ia lëmë në dorë Ofcom-it dhe jo politikanëve që të vendosin se cilat organizata mediatike të ndalojnë, kjo është ajo që bën Rusia”, tha Johnson.
Më 2 shkurt Rregullatori për transmetim në Gjermani, ka ndaluar transmetimin e kanalit në gjuhën gjermane të televizionit shtetëror rus, RT.
Ndërsa Rregullatori mbikëqyrës i transmetimeve në Francë më 4 shkurt ka hapur një hetim mbi mbulimin e lajmeve nga RT.
Më 21 shkurt, Putin nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck.
Dy republikat e vetëshpallura popullore kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.
Kriza aktuale ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur Rusia ka filluar të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën./rel