Presidenti francez, Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin fillimisht dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky më pas.
Telefonata e kreut të shtetit francez dhe Putinit ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta, konfirmohet nga Presidenca franceze. Macron ka zbuluar se ka kërkuar nga Putini për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm. Nuk dihet përgjigja e Presidentit rus, e as veprimet e tij të mëtejshme.
Lëvizjet e Putinit në Ukrainë, janë dënuar ashpër nga shumë vende perëndimore. Ata kanë vendosur sanksione ndaj Putinit në veçanti dhe shtetit rus, të cilat janë kryesisht të karakterit ekonomik.
Putin, duket i patundur nga dëshira e tij për një pushtim të plotë të Ukrainës, e madje, një ditë më parë, kërcënoi duke thënë që të vendosen në gatishmëri armët bërthamore.