Sauthemptoni arriti një tjetër fitore të rëndësishme këtë javë në Premier Ligë, kësaj radhe përballë Evertonit të Frenk Lampardit.
Falë golave të Armstrong dhe Long në pjesën e dytë, “Shenjtorët” morën tri pikët e radhës, ndërsa në “St Mary’s” ishte protagonist edhe një herë tjetër Armando Broja.
Sulmuesi 20-vjeçar vuri në disa raste në vështirësi mbrojtjen mike me shpejtësinë e tij dhe iu afrua golit në më shumë se një moment. Në tri shanset e sulmuesit shqiptar, portieri Pikford u ndihmua nga fati, ku dy goditje u bllokuan nga mbrojtësit dhe në të tretin topi shkoi ngjitur me shtyllën.
Në minutën e 83-të ai u zëvendësua për t’i lënë vendin Long dhe i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për të duartrokitur sulmuesin e talentuar shqiptar, përfshirë tribunën kryesore me në krye pronarin serb Dragan Sholak.
NOTA 6 – “Lojtari i huazuar nga Çelsi luajti pak a shumë një pjesë të parë të qetë, pavarësisht se shansi i tij u sfumua nga Pikford. Ai duhet të kishte bërë gjithashtu më mirë për të pasuar tek Elionusi, ndërsa anësori ishte i lirë në zonë në rastin e 15 minutave të fundit. Megjithatë, Evertoni vuajti ndonjëherë shpejtësinë dhe vrullin e tij përpara se të zëvendësohej nga Long”, ishte vlerësimi me notën 6 për Armandon nga “Hampshirelivenews”.
MERSON – Legjenda e Arsenalit, Pol Merson, sot në rolin e opinionistit të “Sky Sports” nuk i kurseu elozhet për sulmuesin, të cilit ia parashikon të ardhmen në “Stamford Bridge”:
“Broja është dikush që më ka tërhequr vëmendjen këtë sezon dhe unë besoj fuqimisht se ai ka një të ardhme te Çelsi. Është trupmadh, i fortë, i shpejtë dhe ka treguar se mund të shënojë në vazhdimësi në nivele të larta. Kështu që edhe nëse Çelsi e lejon që të largohet, mendoj se ata do të kërkojnë të përfshijnë klauzolën e riblerjes në kontratën e tij”./Panorama sport