NGA BLENDI KAJSIU/ Ndoshta ngaqë nuk është mësuar të marrë vendime korrekte apo në mënyrë të pavarur, Lulëzim Basha… ka një talent të çuditshëm për të marrë vendimet e duhura në mënyrë të gabuar. Kjo ndodhi me përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar. Kjo ndodhi edhe me votimin e zgjatjes së afateve të organeve të vetingut në sistemin e drejtësisë.
Së pari duhet theksuar se votimi i zgjatjes së afatit të organeve të vetingut nga ana e Partisë Demokratike ishte jashtëzakonisht i drejtë. Pavarësisht problemeve të prodhuara nga tejzgjatja e reformës, kapjeve të aty-këtushme nga pushtetit apo djegia e herëpashershme e të njomit bashkë me të thatin, në tërësinë e saj reforma në sistemin e drejtësisë është një histori suksesi. Sidomos po të kemi parasysh degradimin e sistemit tonë të drejtësisë para reformës. Mjafton të krahasojmë prokurorin e përgjithshëm që kemi sot, Olsian Çela, një jurist profesionist dhe me integritet, me prokurorin e djeshëm Adriatik Llalla, tashmë të dënuar për korrupsion. Pa përmendur figurat legjendare të korrupsionit gjyqësor si Gjin Gjoni që arritën kupolën e sistemit të drejtësisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë (KLD).
Ndaj, votimi i PD-së pro vazhdimit të procesit të vetingut ishte i domosdoshëm jo vetëm sepse harmonizonte qëndrimin e opozitës me SHBA-të dhe BE-në, por sepse i shërben konsolidimit të një drejtësie më të pavarur dhe më të pakorruptuar. Në këtë aspekt ishte një korrigjim i nevojshëm i qëndrimit absurd që PD ka mbajtur deri tani ndaj reformës, duke e reduktuar atë në një politikë korruptive të Edi Ramës. Pikërisht këtu qëndron inkoherenca e thellë politike e Bashës dhe PD-së.
Ata nuk mund ta votojnë zgjatjen e vetingut dhe ta mbështesin reformën sot pa u distancuar nga qëndrimi i tyre i djeshëm. Për të qenë koherent me veten dhe me elektoratin duhet të pranojnë se qëndrimi i tyre dje ishte një nga marrëzitë e shumta të një opozitarizmi nihilist, që në mënyrë absurde njehsonte faktorin ndërkombëtar me Edi Ramën, digjte mandatet parlamentare dhe bojkotonte zgjedhjet lokale.
Refuzimi i opozitës për të marrë pjesë në Reformën e Drejtësisë jo vetëm dobësoi institucionet e vetingut duke lehtësuar kapjen e tyre të pjesshme nga pushteti, por e ktheu Ramën në interlokutorin e vetëm të faktorit ndërkombëtar në Tiranë. Pa përmendur faktin që si pasojë e njehsimit të reformës me Ramën, pushteti filloi ta shiste atë si sukses dhe ide të vetën, edhe pse ajo në fakt u bë nën presionin ndërkombëtar dhe pavarësisht dëshirave të Ramës.
Për të gjitha këto arsye, PD-ja dhe Basha, shumë përpara se të votonin zgjatjen e afateve të vetingut, duhej të sqaronin anëtarësinë dhe qytetarët se përse po ndryshon qëndrimi i tyre sot. Ky sqarim duhej të fillonte me një autokritikë ndaj qëndrimit të djeshëm, shkaqeve që çuan te ky qëndrim dhe pasojave negative të refuzimit të reformës së drejtësisë nga opozita.
Dhe në këtë pikë, PD-ja dhe Basha duhet të kishin kurajën t’u thoshin shqiptarëve dy të vërteta të mëdha. Së pari, kush janë përgjegjësit për degradimin e sistemit të drejtësisë dje, pa harruar ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 që kreun e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidentin e Republikës ia dhanë ekzekutivit. Së dyti, ata duhet të denoncojnë politikanët që nuk kanë interes që ky sistem të reformohet sepse ndihen të kërcënuar nga një drejtësi e pavarur dhe e pakorruptuar.
Pra, votimi për zgjatjen e organeve të vetingut ishte një shans i madh si për Bashën, edhe për PD-në, për të korrigjuar në mënyrë koherente kursin e saj opozitar katastrofal që deri tani veçse i ka shërbyer pushtetit. Ishte gjithashtu një mundësi e madhe për të justifikuar politikisht qëndrimin e sotëm duke u ndarë nga aktorët dhe faktorët e djeshëm që për interesat e tyre meskine e futën opozitën në qorrsokak.
Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Ashtu sikurse në rastin e përjashtimit të Berishës nga Grupi Parlamentar, qëndrimi i Bashës dhe i PDsë ishte i paqartë, i paartikuluar politikisht dhe publikisht deri në momentet e fundit para votimit. Pra, pamë edhe një herë një mungesë lidershipi nga kryetari i PD-së, që duhet të ishte në ballë dhe jo në bisht të justifikimit politik dhe publik të një vendimi kaq të rëndësishëm mbi Reformën e Drejtësisë.
Shqiptarët dhe shqiptaret e kanë të qartë kush janë përgjegjësit për degradimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe cilët janë ata aktorë dhe faktorë politikë, të cilët nuk janë të interesuar që drejtësia të jetë e pavarur dhe e pakorruptuar. Çuditërisht është Basha dhe PD-ja, që ende nuk janë të qartë në këtë pikë. Dhe kjo është mungesë lidershipi./ panorama