Nga Skënder Minxhozi/

E para, i duhej sepse praktikisht mandati presidencial i Metës ka mbaruar. Në korrik ai do të bëjë dorëzimet dhe në muajt që mbeten zor se mund të dëmtojë më shumë sesa ka dëmtuar. Presidenti aktual u kacafyt me maxhorancën, mallkoi ambasadorët, shau e sulmoi cilindo që i doli para, por tani kjo paradë e shëmtuar presidenciale po i afrohet fundit.

E dyta, më shumë sesa shkurtimi i kontratës së punës së presidentit me tre muaj, Ramës i duhej një gjest i madh pavarësie i gjyqësorit të ri. Me vendimin e sotëm, edhe vetë Presidenca po e gjen të vështirë të thotë diçka. E kundërta e spektaklit të turpshëm me deklarata e konferenca shtypi, që prodhuan gjatë zhvillimit të procesit në Kushteetuese.

Kreu i shtetit e ka kuptuar se ky vendim i sotëm, më shumë prish sesa ndreq punë në rrafshin politik afatgjatë. E donte veten hero e viktimë të “gjyqtarëve të Ramës”, jo të mbijetuar të procesit. Bashkë me Metën, kushdo që deri më sot sokëllinte nëpër studio televizive e media se Rama ka blerë drejtësinë e re, sot ka një argument madhor më pak për ta bërë këtë. Kushtetuesja ka hedhur poshtë shumicën parlamentare 6 me 1. Më qartë dhe më pastër nuk bëhet.

Edhe amerikanët janë mëse të kënaqur që shumica aktuale qeverisëse mori një votë të qartë kundër në Kushtetuese, qoftë edhe me çmimin e mbajtjes në zyrë të Ilir Metës. Edhe atyre, ashtu si dhe Ramës, tre muaj më tepër presidencë Meta nuk i prishin punë fare, ndërkohë që drejtësia e re kalon një provim shumë delikat pavarësie. Investimi strategjik i SHBA në Shqipëri, drejtësia e re, është sot më solid e i besueshëm sesa dje.

E treta, Ramës i duhet Ilir Meta në Presidencë edhe nja tre muaj për hir të mbajtes larg nga fusha e debatit politik. Me inceneratorët nëpër këmbë dhe në një moment gri të qeverisjes së tij, kryeministri do të donte ta mbante larg fushës së lojës kreun e shtetit deri në verë, kur nisin pushimet dhe kur institucionet mbyllen. Nëse Meta zbriste që sot në krah të Berishës nëpër mitingje e protesta, për Ramën do të rritej dhimbja e kokës dhe niveli stresit politik.

Ah, edhe një gjë e fundit, që në fakt duhej të ishte e para! Shqiptarët dhe shteti i tyre dalin më të dobët sot. Pra, janë të humbur, pasi mosndëshkimi i një kryetari shteti që quan gjysmën e popullit “grup i struktuar kriminal”, shënon një precedent tejet negativ për një institucion që përfaqeson unitetin e popullit. Me këtë vendim në dorë, një president i ardhshëm mund të bëjë çdo mysybet të padëgjuar, sepse para tij në Presidencë ka qenë Ilir Meta. Ky është aspekti i madh negativ i asaj që ndodhi sot në Kushtetuese.