Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se, duke nisur nga dita e hënë, datë 21.02.2022, fillojnë punimet emergjente në segmentin rrugor Elbasan–Librazhd në Murrash, të cilat do të zgjasin deri në datë 20.03.2022.
Sipas ARRSH-së, qëllimi i këtij projekti emergjence është përforcimi i pjerrësisë për të mbrojtur rrugën nga rënia e shkëmbinjve të përmasave të ndryshëm.
Mbrojtja e skarpatave do të bëhet nëpërmjet barrierave, të cilat do të vendosen/instalohen në shpat dhe do të përdoren për të mbajtur shkëmbinj të mëdhenj me energji të lartë kinetike. Barrierat e propozuara të rënies së shkëmbinjve kanë një lartësi prej 4 m dhe mund të thithin një energji goditjeje deri në 1000 kJ. Kjo lloj mbrojtjeje e shpatit do të përdoret në zonat më të rrezikuara nga km 25+575 deri në km 26+155 dhe nga km 26+650 deri në km 26+800.
ARRSH njofton se, “janë marrë masat për menaxhimin e trafikut së bashku me Policinë Rrugore në zonën ku do të nisin punimet për projektin e mbrojtjes së skarpatave. Është vendosur dhe sinjalistika provizore nga km 25+000 deri në km 27+500”, .
Punimet do të kryhen në 2 zona dhe menaxhimi i trafikut do të bëhet për dy segmente sipas skemave përkatëse bashkëngjitur: Zona I ‐ Segmenti nga km 25+300 deri në km 26+400 dhe Zona II ‐ Segmenti nga km 26+350 deri në km.27+050.
ARRSH kërkon mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të këtij projekti.