Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen këtë të enjte ka premtuar se BE do të “dobësojë bazën ekonomike të Rusisë dhe kapacitetin e saj për t’u modernizuar” pas vendimit që Kremlini mori për të pushtuar Ukrainën.

“Ne do të ngrijmë asetet ruse në Bashkimin Evropian dhe do të ndalojmë aksesin e bankave ruse në tregjet financiare evropiane”, u tha Von Der Leyen, gazetarëve.

“Ne e dënojmë një sulm të tillë barbar dhe argumentet cinike që po përdoren për ta justifikuar atë”.

Ajo theksoi se sanksionet ndaj Rusisë do të jenë më të ashprat, më masivet dhe më strategjiket.

Sipas saj, këto sanksione, janë menduara për të shkaktuar dëme të rënda ndaj Kremlinit, si dhe për të penguar Rusinë për të financuar operacionet e tyre ushtarake.

“Ne jemi të vetëdijshëm se miliona rusë nuk duan luftë”, tha ajo.

“Ne nuk do të lejojmë që presidenti Vladimir Putin të zëvendësojë sundimin e ligjit, me sundimin e forcës”, tha Voden der Leyen.

Ajo theksoi se Ukraina do të mbizotërojë.

Duke folur së bashku me Von der Leyen, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell tha se masat ndëshkuese nga blloku 27 anëtarësh kundër Rusisë janë “paketat më të ashpra të sanksioneve që janë zbatuar ndonjëherë”.