Pas një përballje të gjatë me prokurorinë dhe gjykatën shqiptare, Francesco Becchetti është deklaruar fajtor duke u dënuar me 17 vjet burgim, për veprat penale të falsifikimit, krijimit të skemave mashtruese dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Akuzat e ngritura nga prokuroria, e cila u përfaqësua në gjykim nga vetë Kryeprokurorja Elizabeta Imeraj, janë gjetur të drejta dhe tashmë drejtësia ka përfunduar me fajësi për Becchettin. Kjo është përgjigja e drejtësisë shqiptare pas një kalvari të gjatë shtyrjesh me manovra procedurale të seancave gjyqësore.

Çështja penale ka filluar në vitin 2014, dhe sot drejtësia foli. Mbetet për t’u parë se si do vijojë çështja në lidhje me vendimin e dhënë nga Gjykata e Arbitrazhit, e cila ka dënuar Shqipërinë me një shumë të madhe parash. Sidoqoftë, reforma në drejtësi duket se po sjell frytet e saj, pasi po vihen përballë përgjegjësisë penale persona, të cilët nuk ka qenë e mundur të prekeshin më parë.