Rusia po ndalon shërbimet televizive të transmetuesit ndërkombëtar gjerman Deutsche Welle, duke mbyllur zyrën e tij në Moskë dhe duke hequr akreditimin e gazetarëve të tij, njoftoi sot Ministria e Jashtme në Moskë.

Masa e Moskës vjen si një hakmarrje për vendimin e një rregullatori gjerman të mërkurën që bllokoi transmetimet e kanalit televiziv rus RT DE. Kremlini e kritikoi urdhrin si “asgjë më pak se një sulm ndaj lirisë së fjalës”.

Komisioni për Licensim dhe Mbikëqyrje (ZAK), i cili është përgjegjës për rregullimin e medias në Gjermani, kishte ndaluar transmetimin e kanalit gjerman RT DE në vend, duke përmendur mungesën e licensës së transmetimit.

RT – dikur Rusia Sot, transmeton ndërkombëtarisht në gjashtë gjuhë dhe pretendon se programet e saj në gjuhën gjermane kontribuojnë në diversitetin e opinioneve në Evropë. Kritikët ndërkohë akuzojnë RT si një zëdhënës i Kremlinit i përdorur për të shpërndarë propagandë dhe dezinformata.

Deutsche Welle, ose DW, është një kanal lajmesh 24-orësh në pronësi shtetërore gjermane i financuar nga buxheti federal. Ai transmeton programe në gjermanisht, anglisht, spanjisht dhe arabisht.