Manovrat ushtarake ruse në shkallë të gjerë kanë nisur të zhvillohen në brigjet jugore të Ukrainës, me avionë, helikopterë dhe mbi 30 anije luftarake të vendosura në Detin e Zi, ndërsa frika për një sulm të mundshëm nga Moska po rritet.

Rusia thotë se trajnimi ka për qëllim gjetjen dhe shkatërrimin e nëndetëseve. Ukraina i ka quajtur manovrat, të cilat pritet të zgjasin deri të shtunën, një provokim që do të pengojë rëndë lundrimin në Detin e Zi dhe në detin e afërt të Azov-it.

Kremlini ka hedhur poshtë akuzat se anijet tregtare do të prekeshin nga manovrat duke shtuar se ato nuk paraqesin kërcënim për sigurinë. Megjithatë, Ukraina ka këshilluar linjat ajrore që të shmangin hapësirën ajrore mbi zonë.

Manovrat detare po mbivendosen së bashku me stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë që po zhvillohen midis Rusisë dhe aleatit të saj të ngushtë Bjellorusia, e cila ndan një kufi me Ukrainën.

SHBA-ja tha se gjenden 130,000 trupa të grumbulluara në territorin rus pranë kufirit, që do të thotë se forcat ruse janë vendosur në të tri anët e Ukrainës.

SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s akuzojnë Rusinë se po planifikon një sulm të ri në Ukrainë, pas aneksimit të gadishullit të Krimesë në Detin e Zi në vitin 2014, një akuzë që Rusia e ka kundërshtuar duke e quajtur një përhapje të informacioneve të frikshme.