Bëri jo pak bujë video e kandidati për kryetar bashkie në Rrogozhinë i “Shtëpisë së Lirisë”, ku shfaqej duke sharë Sali Berishën 5 vite më parë. Në një intervistë për televizionin e familjes Berisha, tashmë që kandidon në zgjedhje për këtë të fundit, Hekuran Xhani justifikohet duke thënë se ato që ai dëgjohet duke thënë në video, janë nxjerrë jashtë kontekstit.
Sipas tij, ai ka qenë në një takim me një grup miqsh dhe po përgatiste një fjalim për shpopullimin e vendit, për të cilën thotë se bënte përgjegjës ‘klasën time politike”.
“Ky takim miqësor është bërë në 2017 dhe unë kisha përgatit një raportim ku do trajtoja çështjen e shpopullimit të Shqipërisë, iku rinia. Duke qenë mes miqsh, duke njohur mirë politikën, që është arti i të keqes, bëj përgjegjës të gjithë klasën time politike. Ajo video ishte një metodë meskine e ish-sigurimi të shtetit”, ka thënë ai.
Ndërkohë në videon e publikuar, të regjistruar 5 vite më parë, Xhani e quan Sali Berishën shkurt si “Salë k*rva, ndërsa shton se “këtë klasë politike (përfshirë edhe Berishën) na e ka zili edhe Serbia”.
‘Kanë përzënë 50% të shqiptarëve edhe serbët na e kanë zili’, shprehet ai në video.