Policia e Tiranës ka reaguar për tentativën e grabitjes së një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Blutë e kryeqytetit në një njoftim zyrtar bëjnë me dije se siguruan informacione se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë.
Policia thotë se në bazë të këtyre informacioneve bënë të të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë. Grabitësit kishin hartuar një skemë të të mirëmenduar për t’u futur në ambientet e bankës përmes kanaleve të nëndheshme të ujërave të zeza. Sakaq, grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i plotë:
Falë reagimit të Policisë, parandalohet tentativa për vjedhje në një bankë të nivelit të dytë, duke përdorur tunele të nëndheshme.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.
Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.