Debate e replika mes ministres për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvend.
Spirpali i ka cilësuar si fantazi pretendimet e Berishës për drogën dhe raportet ndërkombëtare të krimit në Shqipëri. Ajo tha se si Berisha dhe Basha kanë të njëjtën gjuhë të përdorur, ndërsa shtoi se Shqipëria ka plotësuar detyrat dhe shumë shpejt do të jetë pjesëmarrëse në Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
“Ju po i bini derës sonë që të dëgjojë brava juaj. As dera jonë s’ka ndërmend të tundet dhe siduket as brava e tyre s’ka ndërmend të shembet. Për t’iu kthyer asaj që ju thatë dhe për të bërë një sqarim të përgjithshëm, ku sigurisht në 7 mars biri juaj politik do të dalë e të thotë bandat e Saliut, të Metës dhe të Ramës vodhën këto zgjedhje, por beteja sapo ka filluar. Duke përsëritur këto që sapo u thanë këtu është e kotë ta paraprini.
Lereni të bëj fjalimin e tij, sepse ngjan si dy pika uji me atë që thoni ju. Ndryshoni ju që të kemi shpëtim. Meqë në zgjedhjet e pjesshme jeni ndarë në shtëpi të ndryshme më vjen në mendje një shprehje popullore: Ej moj kasolle ku na mblodhe.
Për problemet e shqiptarëve e punët e tyre ata iu kanë provuar dhe e kanë dhënë përgjigjen me votë. Biri juaj ka humbur 5 a 7 zgjedhje. E ju nga 2013 e këndej keni shënuar humbje pas humbje.
Këtë punë kemi ne me ju. Ato shifrat e krimit dhe ato ëndrrat me narko-qeveri e pushtim të drogës nga Amerika Latine, nuk ua besojnë as partnerët që keni ca probleme kohët e fundit dhe me askënd tjetër. Ky nuk është vend i krimit. Por është një vend që ka problemet e veta me krimin, por që ka vendosur në drejtësinë e ka vendosur prioritet për të luftuar krimin e organizuar të lidhur me politikën. Zero probleme me fqinjët. Shqipëria një vend luajal në marrëdhënie me fqinjët. Kur këtu vijnë presidentë të komisionit, të parlamentit evropian dhe thonë me gojën e tyre që Shqipëria ka bërë të gjitha detyrat. Ata japin dhe tellalli juaj nuk e sheh. Fakti që Shqipëria është gati të ulet në tryezën e Parë Ndërqeveritare, ju nuk e dëgjoni.
Ta ketë të qartë edhe ai që s’mund të lajë mëkatet e tij duke recituar mëkatet e të tjerëve. Bashkë ishit, bashkë i keni bërë, kur sulmonit institucionet dhe bashkë jeni sot me gjuhën tuaj. Është si ajo kasollja që pavarësisht se ndahet në anekse është e njëjta. Ju, jeni jashtë kësaj pune. Nëse riformoheni, ndryshoheni që e shoh të pamundur, mund të vini këtu së bashku me birin tuaj i kthyer në një kasolle pa dyer, pa porta, vetëm me dyer blindi ku ruhet për veten e familjen e tij”, u shpreh Spiropali.