Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se për zgjedhjen e Presidentit të ri do të ketë një proces gjithëpërfshirës.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ilir Metën, mazhoranca do duhet të propozojë emrin e Presidentit të ri për shkak të përfundimit të mandatit.

Në një intervistë televizive duke folur për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, Spiropali, u shpreh se synohet që në krye të këtij institucioni të jetë një njeri i paanshëm.

“Mund të përdoret instrumenti shumë efektiv i Këshillimit Kombëtar, të pyeten njerëzit për pëlqyeshmërinë që kanë për figura të ndryshme. Patjetër dhe PD dhe deputetë të tjerë kanë një proces të gjerë konsultimi, të dalim me një emër dinjitoz”, tha ajo.

Spiropali nuk përjashton mundësinë për të zgjedhur për herë të parë një grua në krye të shtetit.

“Kjo bisedë nuk është bërë. Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë një presidente grua, por përjashtoj mundësinë të jem unë”, tha ajo.

Sa i përket zgjedhjeve të 6 Marsit, Spiropali u shpreh nuk i sheh si një referendum politik.

“Ne do punojmë kudo në të 6 bashkitë në këtë fushatë me të njëjtën energji se besojmë se kemi kandidatë më të mirë për të qeverisur qytetarët e këtyre bashkive dhe për të çuar para punët publike por dhe sfidat në këto bashki. Nuk e shohim si një referendum politik dhe nuk jemi aty në revansh për t’u marrë patjetër të gjitha bashkitë kundërshtarëve tanë”, tha ajo

Për sa i përket debateve në parlament me dy opozitat brenda PD-së, Spiropali bëri thirrje për të hequr dorë nga gjuha denigruese me socialistët.