Në vazhdën e asaj që u deklarua nga presidenti i federatës polake mëngjesin e sotëm, numri 1 i Juventusit dhe Polonisë, Wojciech Szczesny, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në ndeshjen kundër Rusisë, të planifikuar për më 26 mars.

Ky është postimi i tij në Instagram: “Gruaja ime ka lindur në Ukrainë, gjaku ukrainas rrjedh në venat e djalit tim, një pjesë e familjes sonë është ende në Ukrainë, shumë nga miqtë e mi janë ukrainas dhe të gjithë janë njerëz të mrekullueshëm.

Shihni vuajtjet e tyre. Fytyrat dhe frika për vendin e tyre më bën të kuptoj që nuk mund të rri qetësisht dhe të bëj sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kur Putin vendosi të pushtonte Ukrainën, ai i shpalli luftë jo vetëm Ukrainës, por edhe të gjitha vlerave që përfaqëson Europa: liri, pavarësi, por mbi të gjitha paqe.

Më 26 mars duhej të luanim kundër Rusisë në një ndeshje ‘play-off’ për Kupën e Botës 2022 në Katar. Edhe pse zemra më thyhet ndërsa po shkruaj, ndërgjegjja ime nuk më lejon të luaj. Përfaqësimi i vendit tënd është nderi më i madh në karrierën e një futbollisti, por është ende një zgjedhje.

Unë refuzoj të luaj kundër lojtarëve që zgjedhin të përfaqësojnë vlerat dhe parimet e Rusisë. Refuzoj të qëndroj në fushë, duke veshur ngjyrat e vendit tim dhe duke dëgjuar himnin kombëtar të Rusisë. Unë refuzoj të marr pjesë në një sport që legjitimon veprimet e qeverisë ruse. E di që ndikimi im mund të jetë vetëm simbolik, por i bëj thirrje FIFA-s dhe UEFA-s që të veprojnë dhe të mbajnë qëndrim”.