Nga ARTAN SHYTI/ Në sherrnajën e zgjedhjeve në FSHF një nga lajtmotivet e dëgjuara më shpesh është ajo që politika nuk duhet të përfshihet në sport. Jam i sigurt që ata të cilët e tundin këtë tezë dinë shume pak apo aspak rreth marrëdhënies shume specifike që politika ka me sportin. Në realitetin aktual botëror nuk ka asnjë fushë të jetës ekonomike dhe shoqërore që nuk është e ndikuar, e kushtëzuar dhe e kontrolluar nga politika. Dhe sporti nuk bën e nuk mund të bëjë përjashtim.
Duhet të kemi të qartë që të jesh i ndikuar apo monitoruar nga politika nuk është një element negativ. Përkundrazi. Në momentin që politika bëhet e ndjeshme për sportin, do të thotë që sporti është bërë i rëndësishëm për shoqërinë. Ndaj edhe politika, që drejton e orienton çdo fushë të jetës shoqërore, patjetër do të jetë e interesuar dhe prezente në sport.
Në historinë moderne të marrëdhënieve të politikës me sportin ka një evolucion të qartë në shekullin XX. Në fillimet e organizimit të sportit modern (fundi i shekullit XIX fillimi i shekullit XX), sporti ishte një aktivitet jashtë interesave të drejtpërdrejtë politikë sepse zhvillimi dhe përhapja e tij ishin fragmentare dhe specifike vetëm në shoqërinë e lartë europiane. Me rritjen e rëndësisë dhe popullaritetit të sportit, me shtimin e masivitetit dhe përhapjes së tij në të gjitha shtresat e shoqërisë, në gjysmën e dytë të shekullit XX, sporti u bë një çështje e rëndësishme Për shoqërinë e, për pasojë, edhe për politikën. Kështu, institucionet më të rëndësishme politike ndërkombëtare si OKB, Këshilli i Europës, Bashkimi Europian e vunë sportin në axhendën e aktivitetit të tyre, duke detyruar shtetet anëtare që të angazhonin qeveritë respektive për të marrë masa politike në formën e detyrimeve ligjore, për krijimin e kushteve për përfshirjen e sa më shumë shtetasve në sport, për kualifikimin universitar të specialistëve të sportit, për ndërtimin e infrastrukturës sportive dhe financimin e aktivitetit sportiv të qytetarëve.
Këto detyra të politikës për zhvillimin e sportit mbetën aktuale dhe përbëjnë bazën e ndikimit të saj në sport. Ata që kërkojnë që politika të mos përfshihet në sport, kur u intereson atyre, duhet të bëjnë llogaritë se po kërkojnë edhe që politika të heqë dorë nga këto detyra të rëndësishme që janë garanci për zhvillimin dhe promovimin e sportit.
Se është budallallëk me okë që nga njëra anë t’i kërkosh politikës të financojë sportin, të mbështesë pjesëmarrjen e njerëzve në sport dhe nga ana tjetër, të çirresh se ajo duhet rrijë jashtë tij, të mos jetë e interesuar se çfarë ndodh në sport, edhe kur disa që janë futur brenda sportit nga “dritarja”, duan ta bëjnë çorap. Prania e shtetit në sport është një realitet që jo vetëm nuk mund të kontestohet, por duhet pranuar dhe promovuar. Të kërkosh në shekullin XXI që politika të rrijë larg sportit është injorancë e pastër, në rastin më të mirë, apo shejtanllëk provincial në rastin më pak të mirë… Politika dhe qeveria si instrument që konkretizon funksionimin politik të shtetit duhet të jenë prezentë dhe të luajnë rol përcaktues në sport.
Sidomos për të luftuar fenomene negative si dhuna, dopingu apo trukimet e ndeshjeve.
Natyrisht edhe trukimet e zgjedhjeve…