Ditën e sotme janë çelur aktivitetet e vitit 2022, ku Tirana është shpallur “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, iu është drejtuar të gjithë të rinjve me anë të një videoje, ku ka premtuar një tjetër vizitë në Tiranë në kuadër të këtyre aktiviteteve.

Këngëtarja gjithashtu shprehet se Tirana ka një vend shumë të veçant në zemrën e saj.

“Përshëndetje njerëz, përshëndetje kryebashkiakut Erion. Shpresoj që po kaloni të gjithë mirë! Jam shumë e lumtur të jem pjesë e festës tuaj të madhe që do të zgjasë në të gjithë vitin në Tiranë, Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Tirana mban një vend special në zemrën time, jo vetëm prej rrënjëve të mia shqiptare, por gjithashtu dhe për atmosferën pozitive dhe energjinë e mrekullueshme. Tirana është si një shtëpi për mua dhe dua që e gjithë bota ta dijë. Kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar Evropës talentin dhe potencialin e rinisë shqiptare. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve në Tiranë dhe jam e sigurt që secila prej tyre do jetë një sukses. Mezi pres të jem aty me ju me miqtë e mi dhe të bashkohemi në festën tuaj, por deri atëherë ju dërgoj shumë puthje”, shprehet Dua Lipa.

Rikujtojmë se 26-vjeçarja ka mbajtur për herë të fundit koncert në Shqipëri në gushtin e vitit 2016, ndërsa në Kosovë në gushtin e vitit 2018, në kuadër të festivalit “Sunny Hill”.