Francesco Totti, ish-kapiteni dhe simboli i Romës, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka folur për Edin Dzeko dhe Mohamed Salah, dy ish-shokët e tij të skuadrës.
Këto janë deklaratat e tij: “Ishin shumë të fortë individualisht, ndërsa së bashku ishin një duet i frikshëm sulmues. Jo rastësisht, falë asisteve të Salah, Edin shënoi shumë, duke fituar edhe titullin e golashënuesit më të mirë në Serie A me 29 gola.
Te Liverpool, edhe egjiptiani është bërë një golashënues i paepur. Nuk dua të ndikoj me parashikimet e mia, por jam i bindur se do të jetë një spektakël t’i shohim ata të luajnë kundër njëri-tjetrit në ndeshjen e Champions-it, Inter-Liverpool”.
“Dzeko-Salah ndez Champions-in”. Ky është titulli i edicionit të sotëm të “Corriere dello Sport”. Mbrëmjen e nesërme do të zhvillohet ndeshja mes Interit dhe Liverpool-it, e cila është edhe përballje mes dy sulmeve më të forta të kampionateve përkatëse.
Inzaghi beson dhe dëshiron “të vërë bast” për çiftin Dzeko-Lautaro, me Sanchez të gatshëm për t’u hedhur në fushë. Në krahun tjetër, pranë Salah do të jenë Diego Jota dhe Mané. Kujtojmë se boshnjaku dhe egjiptiani kanë luajtur së bashku te Roma e… kapitenit Totti.