Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP Albania) njofton se ditën e sotme është zhvilluar mbledhja e parë e Komitetit Drejtues të projektit mbi “Mbështetjen Infrastrukturore për Komunitetet”.
Nëpërmjet tij, parashikohet ndërhyrja në përmirësimin e infrastrukturës së 3 objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit në Durrës. Konkretisht: rindërtimi i Kopshtit “Isuf Ferra”, Shkozet; riparimi i Shkollës së Mesme të Bashkuar “Jusuf Hoti”, Katund i Ri; dhe Riparimi i Shkollës 9-vjeçare “Zyber Sallaku” Manëz.
Janë rreth 740 nxënës e fëmijë në total, të cilët do të jenë përfituesit direkt të këtij projekti që vjen si pjesë e mbështetjes financiare prej 2.3 milion Euro të qeverive të Danimarkës e Mbretërisë së Bashkuar nëpërmjet Fondit për Arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe do të zbatohet nga #UNDPAlbania në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Punimet do të zhvillohen në një linjë me standardet më të larta evropiane dhe bazuar në parimet themelore të “Rindërtojmë Më Mirë” dhe “Rindërtojmë Së Bashku”, për të siguruar mjedise më bashkohore, më të sigurta, më efiçiente ndaj energjisë dhe me aksesueshmëri të lartë për personat me aftësi të kufizuara.