Zyrtarët turq të Shëndetësisë raportuan mbi 100 000 raste të reja me koronavirus brenda një dite për herë të parë që prej fillimit të pandemisë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjithashtu, ministria regjistroi 198 vdekje për shkak të Covid-19 në 24 orët e fundit.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se “rreth 84% e personave të moshës 18 vjeç e lart në popullsinë e saj prej 84 milionë banorësh janë vaksinuar plotësisht. Ndërsa varianti Omicron mbetet mbizotërues në vend”.
Së bashku me vaksinat BioNTech/Pfizer dhe Sinovac, Turqia po përdor gjithashtu vaksinën Turkovac të prodhuar në vend, por shoqatat e mjekëve kanë akuzuar se shumë pak të dhëna për Turkovac janë vënë në dispozicion të publikut.