Ndonëse ende me shifra të larta, kurba e Covid në Gjermani ka nisur të thyhet.
Gjermania ka shënuar 76,465 raste të reja në 24 orët e fundit, 20% më pak në krahasim me po të njëjtën ditë të javës së kaluar.
Eksperët shëndetësorë në vend thonë se qeveria duhet të lehtësojë masat pasi rastet pritet të bien gjatë javëve të ardhshme. Por ata paralajmëruan se lehtësimi i masave duhet bërë në mënyrë të kujdesshme. Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe krerët e shteteve federale do të takohen të mërkurën për të diskutuar për këtë çështje.
Sipas një drafti të siguruar nga Reuters në një fazë të dytë, klubet e natës mund të rihapen dhe personat e pavaksinuar do të lejohen të hyjnë në restorante nisur nga 4 Marsi.
Ndërkohë në Suedi, Agjencia Shëndetësore ka rekomanduar dozën e katërt për personat në moshën 80-vjeç e lart. Doza e katërt, sipas këtij rekomandimi, duhet të merret të paktën katër muaj pas asaj përforcuese.
Pavarësisht shifrave rekorde të infektimeve, autoritetet suedeze kanë hequr kufizimet, duke argumentuar se simptomat më të buta nga varianti Omicron dhe fushata e imunizimit me doza përforcuese, kanë ulur presionin ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor.