Nga Preza, ku drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, çeli fushatën për zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit në Vorë, deklaroi se vota për kandidatin Blerim Shera, është votë që përkthehet në projekte konkrete, që ndihmojnë në zhvillimin e zonës strategjike mes Durrësit dhe Tiranës. Veliaj ftoi të gjithë qytetarët të bëjnë dallimin mes atyre që e duan votën për pushtet dhe forcës që votëbesimin e shikon si një kontratë pune.
“Pashë Saliun dhe Lulin kur erdhën për fushatë në Vorë; Saliu thoshte: ‘Më jepni votën, që me votat tuaja të shqyej bravën që nuk e shqeva dot në 8 janar’. Kurse Luli thoshte: ‘Më jepni vota, që me to të blej pak më shumë gaz, që t’i lë këta jashtë kur të vijnë prapë si në 8 janar’. Të dy po u thonë njerëzve: ‘Na jepni vota që ne të vazhdojmë sherrin! Na jepni vota që ne të vazhdojmë luftën! Na jepni vota që ne të vendosim kush e mban karrigen e partisë! Na jepni vota që të zgjedhim kush do e shqyejë bravën!’”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se Partia Socialiste e do votën për të çuar punët përpara. “Partia Socialiste thotë: ‘Na jepni vota që të shërbejmë! Na jepni vota që të mbarojmë shkollat! Na jepni vota që të mbarojmë ujësjellësin! Na jepni vota që të përfundojë rikonstruksioni, që të shkojë deri në fund investimi! Na jepni vota që të bëjmë në Vorë atë që kemi bërë në shumë vende të Shqipërisë, të cilat i besuan PS-së si e vetmja forcë që votën e do për punë, jo për sherr! Votën e do për t’i bashkuar njerëzit, jo për t’i përçarë! Votën e do që gjërat të ecin përpara, jo mbrapa!” deklaroi Veliaj.
“Cila është më e rëndësishme: familja jote apo brava e tyre? Shtëpia jote apo llozi i tyre? Mobilimi i klasave të shkollave që po bëjmë, apo karriget e partisë? Nëse përgjigjja është: familja, shtëpia, bangat e fëmijëve të mi janë më të rëndësishme se bravat, llozet e karriget e partisë, atëherë ka vetëm një zgjedhje: Partia Socialiste, Blerim Shera dhe gjithë familja jonë që e do votën për të mbaruar këto punë dhe jo për t’u zënë me lloze, me shula, me gaz”, tha Veliaj në takimin elektoral në Prezë të Vorës.
Drejtuesi politik i PS për gjithë Qarkun tha se PD Vorën e ka tranzit, sepse sherrin e bën në Tiranë, ndërsa për PS Vora është destinacion i investimeve, i punëve dhe i projekteve.