Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i fuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në “News24” ka deklaruar se në betejën për FSHF-në nuk ka asgjë personale me Armando Dukën. Ai tha se kjo betejë legjitimohet nga aksionet që Bashkia e Tiranës ka në zotërim në një prej klubeve më të suksesshme të futbollit sot, si KF Tirana dhe bëhet në emër të qytetarëve të Tiranës, të prindërve që investojne tek ëndrrat e fëmijëve të tyre për t’u bërë futbollistë.
“Armand Duka nuk është armiku im. S’kam asgjë personale me të, por jam përfaqësues i 34% të aksioneve të Klubit të Tiranës i cili po përgatitet të fitojë kampionatin e radhës. Bashkia e Tiranës tashmë ka hequr mënjanë 150 mijë euro si premio, siç bëri vjet, sepse cilido nga ekipet e kryeqytetit që fiton kampionatin, merr çmim. Bashkia e Tiranës jep premion më të madhe në 100 vite kryeqytet. Për të gjitha këto arsye, nuk kam asgjë personale, por të jesh pjesë e një koreografie të shëmtuar, e një valleje të hedhur keq, e një vendi ku vidhen zgjedhjet, është shumë e shëmtuar”, tha ai.
Veliaj i quajti fyese favoret që iu bëhen familjarëve të zyrtarëve të institucionit më të rëndësishëm të futbollit, por edhe më denigruese korrupsionin në nivele të larta. “Historia që vetëm 1% kontrollon gjithçka është fyese! Kurse një prind që ka harxhuar, jo një vit, po 10-15 vite, nga 20-30 mijë lek çdo muaj, t’i thuash siç i the edhe Granit Xhakës – “Po nuk me dhe 100 mijë euro, ti nuk luan me Kombëtaren”, kjo është të fyesh jo vetëm sakrificën e mijëra prindërve, por ndërpret ëndrra fëmijësh që janë rritur duke shpresuar të bëhen si Messi dhe Ronaldo, por në fakt përfundojnë si ‘pulat e Shijakut’,” tha Veliaj.
Sipas kryebashkiakut, shumica e qytetarëve vërtet nuk jetojnë me futbollin, por nuk mund të tolerohet që në një qytet si Tirana të bëhen të tilla padrejtësi. “Shumë vetë më pyesin – “Pse ti?”. Po kush? A mund të përballet me këta një prind që ia heqin fëmijën nga grupi? Po një trajneri që i heqin liçencën? Po një ekipi, se e kanë provuar edhe ekipet dhe i kanë zbritur dy kategori më poshtë? Pra, duhet ta bëjë dikush që nuk ka asgjë për të humbur. Unë çfarë kam për të humbur? Unë nuk luaj futboll, djali im nuk e ka mbushur moshën të luajë, ekipi që përfaqësoj është më i miri sot në kampionat. Unë nuk po kandidoj vetë, as po ju them kë të votojmë, thjesht po ju kërkoj ‘fair play’”, përfundoi Veliaj.