Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka ironizuar deputeten demokrate Ina Zhupa e cila e pyeti nëse kishte ndonjë me shtetësi holandeze që njihte.
Veliaj u shpreh se ai dhe të gjithë shqiptarët njohin vetëm një holandez, që është Lulzim Basha që më 20 shkurt rrëzoi bustin e Enver Hoxhës me pantallona të shkurtra.

“Unë vetëm një holandez njoh, një me pantallona të shkurtra që ka hedhur shtatoren. E nderuar znj. Zhupa! Në dijeninë time ju u referuat disa herë një holandezi. Në zhargonin e këtij qyteti kur thua “holandezi”, është një personazh që e dimë të gjithë. Fakti që po qeshim në krah të majtë dhe të djathtë për holandez, njihet vetëm një holandez që me pantallona të shkurtra rrëzoi Enverin në mes të shkurtit. Nëse ka një tjetër ma thuaj ti”, tha Veliaj.

Nga sheshi ‘Skënderbej’ ku foli për dekomunistizimin, kryedemokrati Lulzim Basha tha më 20 shkurt se ai kishte qenë te busti i Enverit kur u rrëzua, i veshur ne pantallona të shkurtra si dhe kishte tërhequr litarin e shtatores.