Kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në Durrës, Luan Hoti, ka bërë lapsusin e radhës. Gjatë takimit me demokratët e qytetit bregdetar, Hoti tha se Durrësi gjatë verës është vizituar nga 400 deri në 500 turistë, shifra të cilat s’janë fare korrekte.
“Çfarë ndodhi gjatë verës së vitit të kaluar. U mbytem nga plehrat, në një qytet që gjatë verës i vinë 400-500 turistë.”-tha Luan Hoti.
Gafat me shifrat duket se po ndjekin njereëzit e Bashës, i cili jo pak herë ka bërë të tilla lapsuse në llogaritje.
Ndërsa pak ditë më parë, në një takim tjetër në kuadër të fushatës elektorale, Luan Hoti u bë lëmsh dhe s’po dinte çfarë fliste.
“Besoj nuk do e kem problem sepse babai, bashkëshorti i nuses time, babai i fëmijëve, babai i tyre është i orientuar në një fushatë pozitiviste. Nuk mendoj që edhe kundërshtarët e tjerë do të merren me probleme familjare”, tha Hoti.
Më 19 shkurt u hap zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme. Në 6 Mars do të zgjidhen kryebashkiakët e Shkodrës, Durrësit, Rrogozhinës, Lushnjes, Vorës dhe Dibrës, teksa tashmë kandidaturat janë bërë publike nga kryetarët e partive.