Një flirt i ri për Dusan Vlahovic? Kështu duket, sipas asaj që raporton “Novella 2000”. Revista e njohur italiane e gossip-it ka zbuluar dashurinë e re të supozuar të gjigantit serb, i cili para pak ditësh i kishte dhënë fund lidhjes me influencuesen e njohur Maria Sole Pollio.
Revista tjetër e thashethemeve rozë në Itali, “Chi”, konfirmoi javën e kaluar: “Vlahovic ka vendosur të fokusohet te kampionati me ekipin e ri”. Sidoqoftë, periudha e vetmisë sentimentale për numrin 7 bardhezi duket se nuk ka zgjatur. Madje, përflitet për një dhuratë marramendëse nga bomberi serb për “flakën” e re, një tifoze e njohur e Juventusit.
Dusan Vlahovic është tashmë në lidhje me Carolina Stramare, modelen 23-vjeçare nga Genoa dhe fituese e “Miss Italia” në vitin 2019. Zbulohet se të dy ishin takuar në Firence, kur sulmuesi luante ende (ditët e fundit të janarit u transferua te Juventusi). Historia do të vazhdonte transferimin e serbit në Torino.
Po kështu, çifti ka kaluar së bashku edhe ditëlindjet e tyre përkatëse, të cilat ndahen vetëm nga një ditë. Vlahovic mbushi 22 vjeç më 28 janar, ndërsa ajo fiku 23 qirinj më 27 janar. Pra, bukuroshja italiane është një vit më e madhe se sulmuesi i Juventusit.
Ndër dhuratat e marra nga showgirl-ja italiane për 23-vjetor ishte një fuoristradë krejt e re. Për momentin, dërguesi misterioz dhe bujar ka mbetur anonim. Mos vallë është Vlahovic?! Një dhuratë e tillë do të ishte “asgjë” për 70-milionëshin e Juventusit, lojtarin më të paguar në radhët e bardhezinjve.