Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot gjatë një bisedë telefonike me kryeministrin sllovak Eduard Heger se nuk ka shenja të uljes së tensioneve lidhur kërkesat e sigurisë së Rusisë, ndërsa rreth 150,000 trupa ruse janë vendosur në kufirin e Ukrainës.

“Ne nuk shohim asnjë shenjë të uljes së tensioneve nga Rusia. Situata e sigurisë mbetet e tensionuar, numri i Forcave të Armatosura ruse në drejtimin ukrainas është rreth 150,000”, tha ai.

Zelensky e informoi Hegerin për përkeqësimin e situatës, duke përfshirë bombardimet provokuese të intensifikuara nga grupet e armatosura të paligjshme të pozicioneve, vendbanimeve, pikëkalimit hyrje-dalje Shchastia dhe një autokolone të ndihmave humanitare të OKB-së të Ukrainës.

Zelensky gjithashtu e njohu Hegerin me iniciativat e Ukrainës për të intensifikuar procesin e negociatave në të gjitha formatet e disponueshme me synimin për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Sipas Zyrës së presidentit, të dyja palët ranë dakord që fati i Evropës po vendoset keto ditë në Ukrainë. Ata theksuan gjithashtu nevojën për përpjekje të mëtejshme politike dhe diplomatike nga komuniteti ndërkombëtar për të parandaluar përshkallëzimin e agresionit rus.

Gjithashtu, u bisedua për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë.

Zelensky falënderoi qeverinë sllovake për vendimin për t’i dorëzuar Ukrainës dy sisteme të pastrimit të minave Bozena 5 dhe furnizime mjekësore me vlerë 1.7 milionë euro.