Majlinda Angoni do të garojë për PS në Shkodër, në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Ajo u prezantua sot te shkodranët, ku i kërkoi t’i besonin votën për t’i kthyer Shkodrës ‘atë që i ka munguar për 30 vite’. Ajo premtoi se, nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Shkodrës, do të punojë me prioritet për projekte që do të krijojnë një ambient të shëndetshëm për zhvillimin e komunitetit.

“Do punoj për një qytet më të pastër dhe një Shkodër tjetër plot energji. Nuk keni pse prisni 3 dekada të reja, por vetëm 300 ditë për të vlerësuar zgjedhjen midis të ardhmes të fëmijëve të tuaj dhe të një të shkuare dëm 32 vjeçare. Shkodranët nuk kanë më kohë për të humbur. Prioritet çuarja para e projekteve për të krijuar një ambient më të shëndetshëm për zhvillimin e komunitet dhe mjedisit ku jetojmë”, tha ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri u shpreh se shkodranët kanë ‘shansin historik’ që të bëjnë zgjedhjen e duhur, teksa Lulzim Bashën dhe Saimir Berishën i konsideroi ‘njerëz të dështuar’ dhe ‘humbës’.

“Sot është ditë e veçantë që kemi një përfaqësuese tuajën që ka shansin historik që t’i kthejë Shkodrës atë që i ka munguar në 30 vite. Ajo është pjesë qytetit tuaj që e ka ndërtuar karrierën e saj vetë. A mund të përdoret Shkodra thjeshtë si një bastion politik i krahut tjetër? Ndaj them që ky është moment historik, Shkodranët duan zhvillim duan që qeverinë ta kenë nga prapa dhe kjo është rruga me Majlindën, rruga tjetër është e eksperimentit kush kontrollon opozitën. Mendoni për veten tuaj, mos u ktheni pjesë e një eksperimenti të dështuar mes dy njerëzish të dështuar. Votoni Majlindën për të kuptuar që nuk ju duhen dy njerëz që janë humbës, njëri humbës kronik e tjetri një ‘non grada’ pa rrugë e krye. Lufta e tyre për Shkodrën është kush e kontrollon për të ndërtuar atë kampin e tyre”, u shpreh Gjiknuri.

Gara e 6 marsit në Shkodër pritet të jetë e fortë, ku Angoni do të garojë përballë Xhemal Bushatit që do përfaqësojë PD-në dhe Bardh Spahisë, kandidati i koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’.