Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit Taulant Balla, gjatë një takimi me banorët e Karbunarës në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, u shpreh se Bashkia e Lushnjes do të drejtohet nga një vajzë lushnjare si Eriselda Sefa dhe se koalicioni i PS është me qytetarët dhe me askënd tjetër.
“Në emër të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste e cila ka gjetur një mbështetje të madhe këtu tek ju, gjej rastin t’ju falenderoj për mbështetjen që dhatë në zgjedhjet e 25 prillit. Si në çdo zgjedhje jam i lumtur që fitorja e Partisë Socialiste fillon në Karbunarë dhe kjo lidhet me punët e mira që janë bërë këtu, por punë më të mëdha na presin përpara.
Ajo çfarë duhet në Lushnje është që t’i japim Eriseldës votëbesimin tonë, ndaj ne nuk na hyjnë në punë kandidatët kundërshtar dhe nuk merrremi me ta sepse nuk janë në Lushnje, por merremi me ata që i kanë vënë. Ata që i kanë vënë nuk kanë sy të dalin para Lushnjes, as Saliu, as Iliri dhe as Luli nuk mund të dalin para lushnjarëve.
Ne na duhet që Eriselda dhe Edi Rama të punojnë bashkë, një kryetar bashkie nuk ka çfarë bën pa kryeministrin as për Karbunarën dhe as për Lushnjen sepse projektet miratohen nga qeveria.
Ne kemi filluar me disa projekte të rëndësishme që në krye të vitit në qytetin e Lushnjes por që do të shtrihen edhe në Njësitë Administrative ku fal projekteve të përgatitura nga Eriselda dhe me dakortësinë e tyre nga Edi Rama ka nisur puna për zbatimin e tyre, disa janë në proçes dhe disa të tjerë do të nisin së shpejti. Për mua nga të gjitha këto rëndësi ka cilësia dhe nuk ka për të pasur asnjë punë publike që të çedojë në aspektin e cilësisë.
Ne kundërshtarin tonë këtu në Karbunarë kemi vetëkënaqësinë tonë dhe arrogancën tonë nëse do të mendojmë që këtë betejë e kemi të fituar. Por jo, ne duhet të trokasim në çdo derë, administratori, deputetët por edhe vetë kryetarja e bashkisë pasi na presin shumë dyer që duhet të trokasim, t’ju kërkojmë ndjesë për ato që nuk kemi arritur të bëjmë apo dhe për ato që ndoshta nuk janë bërë ashtu siç duhet, sepse edhe kemi bërë gabime”, tha Balla.
Sipas Ballës një kryetar bashkie duhet të bëjë atë që ka bërë Eriselda në këto shtatë muaj, të presë këdo që troket në zyrë.
“Partitë i kemi vetëm 30 ditë dhe pas këtyre 30 ditëve duhet të jemi të gjithë motra e vëllezër, pra ky është parimi im që duhet të kemi në Lushnje.
Na duhet ta bashkojmë Lushnjen në funksion të punëve të mëdha që na presin. Prodhimi që del nga fushat e Lushnjes nuk janë me asnjë parti politike por janë prodhim i duarve të arta të kësaj zone, të cilët nga shteti nuk presin t’ju punojë arën, por shteti t’i ndihmojë tek çmimi i plehrave kimike, tek cilësia e farave, nafta pa akcizë, furnizimi me ujë të pijshëm, çmimi i energjisë si edhe me rrugë që të kryejnë trasportin e produkteve të tyre.
Saliu është koalicion me Ilirin, Luli nuk e di as vetë me kë është ndërsa ne jemi në koalicion me njerëzit, ndaj ju faleminderit për prezencën tuaj”, deklaroi Balla.
Në fjalën e saj kandidatja për kryetare Bashkie, Eriselda Sefa falënderoi të pranishmit për vlerësimin e tyre.
“7 muaj më parë me besimin e Kryeministrit për të drejtuar Bashkinë Lushnje, bashkë me stafin tim filluam të evidentonim problematikat që qytetarët e Bashkisë Lushnje kishin. Eksperienca ime 16 vjeçare më bëri që t’i njoh dhe t’i prek më nga afër nevojat tuaja. Kam punuar në projekte dhe ide në mënyrë që të aplikoja pranë qeverisë shqiptare por edhe donatorëve të huaj të cilët më kanë dhënë mbështetje maksimale. Në njësinë tuaj kemi punuar por ka ende shumë për të bërë.
Me votëbesimin tuaj përgjegjësia ime do të jetë edhe më e madhe për t’ju shërbyer sa më mirë”, tha ndër të tjera Sefa.