Procesi zgjedhor për mandatin e presidentit të FSHF-së dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv më shumë është fokusuar te parregullsitë që kanë të bëjnë me zgjedhjet në shoqatat rajonale dhe delegatëve për të votuar në asamblenë e përgjithshme zgjedhore.
Por, çuditërisht, është harruar apo anashkaluar një kusht që pa frikë dhe pa thonjëza mund të quhet edhe diskriminues, pasi u heq të drejtën e të qenit kandidat për president apo anëtarë të Komitetit Ekzekutiv personave që nuk janë rezidentë në Shqipëri, edhe pse janë shqiptarë. Në statutin e FSHFsë, neni 32, pika 8, përcakton si më poshtë: “Për zgjedhjen e presidentit, anëtarëve të tjerë të Komitetit Ekzekutiv, kryetarët, nënkryetarët dhe anëtarët e komisioneve të pavarura, kandidati ose kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Shqipëri”. Ky nen famëkeq është një skandal më vete, pasi dihet që pas viteve ‘90 një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë emigruar dhe kanë ndërtuar një jetë jashtë vendit.
Me këtë nen, figura të shquara të futbollit shqiptar, si Igli Tare, Lorik Cana, Besnik Hasi, Erjon Bogdani, Rudi Vata, Altin Lala apo edhe shumë e shumë ish-futbollistë dhe emblema të Kombëtares nuk kanë mundësi që të jenë kandidatë për president apo anëtarë të komitetit.
Fillimisht ky nen është trumbetuar që kandidati të ketë qenë rezident në Shqipëri në 5 vitet e fundit, por e zeza në të bardhë thotë që duhet të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Shqipëri. Mbase është ndryshuar apo transformuar rrugës. Faksimile e nenit 32 në statutin e FSHF-së në lidhje me zgjedhjet e organeve drejtuese. Ky kusht mbase mund të përtypej nëse personi në fjalë do të ishte zgjedhur si president apo anëtar i komitetit, pasi për të qenë sa më funksional dhe rentabël në punë dhe që futbolli vendas të zhvillohej, duhet të jetonte në vend. E çuditshme është se si vetë aktorët e futbollit vendas, ata që jetojnë jashtë apo edhe ministria e linjës e ka kaluar në heshtje dhe e ka pranuar përmbajtjen e këtij neni apriori diskriminues, që u heq të drejtën për t’u zgjedhur dhe votuar shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Me këtë nen është e pamundur që futbolli ynë të përfitojë nga përvoja, kualiteti, dija, idetë apo projektet e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Pra, FSHF ecën me idetë bolshevike të paraviteve ‘90 që gjithçka duhet ta sigurojmë në vend dhe me forcat tona, duke qenë grusht bashkuar rreth të parit. Ky nen i statusit të FSHF-së i shikon ikonat e futbollit shqiptar apo edhe personalitet me kontribute në arenën ndërkombëtare si reaksionarë. Në vend që të thithim trurin, ne vendosim barriera dhe kushte vetëm e vetëm që të mos u prishim rehatinë atyre që vegjetojnë prej dekadash në qeverinë e futbollit shqiptar.