Gigi Buffon nuk ndalet, as i “var dorezat në gozhdë”. Përkundrazi, me të njëjtin entuziazëm si gjithmonë do të vazhdojë të luajë deri në moshën 46-vjeçare.
“Kam një lajm të mrekullueshëm: Gigi ka rinovuar kontratën deri në vitin 2024”. Kështu tha presidenti i Parmës, Kyle Krause, në një konferencë shtypi nga stadiumi “Tardini”, ku njoftoi rinovimin e portierit kampion bote më 2006.
“Ai është një lojtar i madh, një krenari për ne. Gigi ka një pasion të madh për Parmën, jemi shumë të lumtur për mbështetjen dhe angazhimin e tij”.
Ish-portieri i Juventusit dhe PSG-së, i cili u rikthye te Parma verën e kaluar, ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2024, kur, siç u përmend, do të mbushë 46 vjeç. Një tjetër moment historik i rëndësishëm për karrierën e tij të pafundme.
Viti 2024 do të shënojë gjithashtu 29 vite histori futbolli për vetë Buffon, i cili bëri debutimin e tij në Serie A në sezonin 1995-1996. Pra, debutimi i tij duket një jetë më parë…