Platforma elektronike eTransport, si një sistem menaxhimi operacional dhe financiar për transportin rrugor ndërqytetës të udhëtarëve, si një platformë bashkëveprimi midis autoritetit përgjegjës, shoqërisë së transportit, agjencisë së transportit dhe terminalit të udhëtarëve, është e ardhmja digjitale e këtij sektori përmes fjalës së fundit të teknologjisë.

Ky projekt i nisur Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, do të krijojë një standard të ri të eksperiencës së udhëtimit me linjat e transportit ndërqytetës, bazuar në praktikat më të mira evropiane.

Përmes platformës e-Albania, DPSHTRR do të ofrojë 8 shërbime të transportit ndërqytetës nëpërmjet aplikimit online dhe përpunimit të dokumentacionit në sistemin e brendshëm e-Transport, duke lehtësuar 242 subjekte të transportit ndërqytetës, duke digjitalizuar komplet sektorin, duke eliminuar kohë të vlefshme nëpërmjet gjenerimit të dokumentit me vulë elektronike dhe duke mundësuar përdorimin e të dhënave për ndërhyrje efektive në rrjet linjash e orare.

Nga data 1 mars, 8 shërbime të reja online do të ofrohen në e-Albania për transportin ndërqytetës:

1. Licencimi në linjat e transportit ndërqytetës.

2. Kërkesë për shtim/ndryshim/heqje orari në linjat e transportit ndërqytetës.

3. Certifikim mjeti në linjat e transportit ndërqytetës.

4. Dublikatë Licence/Certifikate, për transportin ndërqytetës.

5. Autorizim stacion qëndrimi për linjat e transportit ndërqytetës.

6. Kërkesë për shtim/ndryshim/heqje stacioni në linjat e transportit ndërqytetës.

7. Kërkesë për miratim linje të transportit ndërqytetës.

8. Kërkesë për akses në e-Transport, si operator transporti ndërqytetës.

Digjitalizimi i procesit nëpërmjet krijimit të platformës elektronike e-Transport, aplikimi online në platformën e-Albania për 8 shërbime të transportit ndërqytetës sjell: rritjen e transparencës, eliminimin e subjektivizmit nëpërmjet proceseve të automatizuara të punës, komunikimin online për mangësitë e dokumentacionit, gjenerim të dokumentit me vulë elektronike dhe pamje të qartë mbi rregullsinë e operimit në të gjitha linjat e transportit ndërqytetas.

Video ilustruese në kanalin zyrtar të DPSHTRR në Youtube: https://www.youtube.com/watch?v=UKii_MviUeM!