Sekretari i Drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Dominic Raab, është pyetur nëse do të mirëpriste që Vladimir Putin të dërgohej në një burg në Mbretërinë e Bashkuar. “Të mos dalim nga vetja”, u përgjigj ai. “Ne duam të shohim Putinin të dështojë në Ukrainë”, shtoi më tej.
I pyetur nëse do të kishte hapësirë në një burg në Mbretërinë e Bashkuar për presidentin e Rusisë, zoti Raab tha: “Shiko, ne e kemi bërë këtë më parë, Charles Taylor, (Radovan) Karaxhiç, nëse (Slobodan) Millosheviç do të kishte mbijetuar, ai do të kishte ardhur në një burg të sigurisë së lartë”.
Ish-presidenti liberian Charles Taylor u detyrua të vuante dënimin në një burg në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2014, ndërsa Radovan Karadziç, lideri politik serb i Bosnjës i dënuar për gjenocidin e Srebrenicës, u transferua në një burg në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar.
“Sigurisht, nuk do të doja të paragjykoja asnjë hap të procesit ligjor, por ajo që po them është me aleatët tanë në mbarë botën, veçanërisht me ata që mbështesin ICC (Gjykatën Penale Ndërkombëtare)… ne të gjithë kemi nevojë për të punuar së bashku për t’u siguruar që ka një efekt të besueshëm parandalues, “shtoi Raab.
Ai theksoi se kjo mund të bëhet duke mbështetur gjykatën dhe “askush nuk ka bërë më shumë se Britania në këtë drejtim”.