Në një intervistë të fundit, Mario Balotelli “ndau” opinionin publik, siç ndodh shpesh, duke përcaktuar mjetet teknike që disponon, në të njëjtin nivel me ato të Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, dhe duke pretenduar se është “tradhtuar” vetëm nga disa sjellje të tepërta. Një lojtar, rruga e karrierës së të cilit ishte paksa e ngjashme me atë të Balotellit, Nicholas Anelka, në vend të kësaj foli ashpër për momentin delikat profesional të përjetuar nga Ronaldo dhe Messi, të freskët nga eliminimi i Champions League qysh në 16-she me Manchester United dhe PSG, respektivisht.

Dy legjendat e futbollit bashkëkohor kishin zgjedhur të ndryshonin klube verën e kaluar për të kërkuar sfida të reja. I intervistuar nga “Rmc Sport”, Anelka tha se CR7 dhe Messi ishin “fajtorë” pse dëshiruan të qëndronin në krye për një kohë të gjatë, duke mos pranuar rënien e paepur të shënuar nga mosha:

“Kariera e Cristianos dhe Leos ka përfunduar. Mendoj se të dy duhet të jenë shumë të kënaqur me atë që kanë bërë dhe arritur në 15 vitet e fundit, por kjo është ajo që ndodh me ata që duan të luajnë shumë gjatë në nivele të larta. Në moshën e tyre do t’iu duhej të pranonin sfida më pak kërkuese. U largova nga futbolli në moshën 36-vjeçare, por 32 vjeç isha tashmë në Kinë”. Anelka, me sa duket e hedh poshtë përvojën e tij të shkurtër me Juventusin në moshën 33-vjeçare, me vetëm dy paraqitje midis janarit dhe qershorit 2013.

Më konkretisht, ish-sulmuesi, ndër të tjera i PSG, Arsenal dhe Chelsea tha se ishte më i befasuar nga dështimi evropian i Messit sesa ai i Ronaldos: “Të dy ishin më të mirët nga të gjithë për 15 vite dhe tashmë kjo ishte e mrekullueshme. Personalisht më ka bërë më shumë përshtypje Messi sesa Ronaldo. Mendova se Leo do ta kishte si shëtitje në Francë, ndërsa Ronaldo do të haste më shumë vështirësi në Angli, sepse mendoj se Premier League është kampionati më kërkues në botë”.