Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla ka deklaruar në Kuvend se është turp i madh që në asnjë vend tjetër opozita nuk po e përdor krizën në Evropë për hesapet e veta politike.

“Për çështje çmimesh me non gratat është e pamundur të bëjmë debat. Keni prej ditës së parë që keni hedhur gurin dhe nuk keni fshehur as dorën. Lidhur me atë që u tha këtu dhe nuk ka asnjë dyshim. Ne duam të bëjmë debat por debatin do e bëjmë me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Edhe në këtë moment që ne flasim kryeministri është në takim me qytetarët. Saliu juaj nuk e ka ditur kurrë sa është çmimi i naftës sepse nuk e ka paguar kurrë nga xhepi i vet. Na e kurseni pisllëkun.

Edhe ata që ju kanë dhënë firmën nuk i kishe në sallë. Ti një je apo kur ulesh ti bëhesh 10 veta. Kërkesa juaj ka rënë sepse ata që janë mbështetës të kërkesës nuk ndodheshin në sallë. Çështja e çmimeve ka prekur Europën dhe mbarë botën. Rusia po përdor çmimet duke përdorur eksportit. Turpi më i madh është që nuk ka asnjë vend tjetër në Europë që opozita të përdorë këtë moment kritik për hesapet politike. Ju vazhdoni ngarkoni kamionët dhe autobusat për të sjellë mbetjet e non gratave në protestë. Për sa kohë Sali Berisha, dhe televizionet e Putin t’i bëjnë jehonë protestave që ju bëni, mbajini me shëndet. Ne do vazhdojmë punën tonë”, tha Balla.