Barcelona është e vendosur ta përforcojë skuadrën verën e ardhshme duke gjetur lojtarë me kosto të ulët për portën, mbrojtjen dhe mesfushën, në mënyrë që të shpenzojë një shumë të madhe për një sulmues të klasit botëror.
Nuk është një sekret që Erling Haaland është dëshira e madhe e Barcelona-s, por konkurrenca për të siguruar shërbimet e norvegjezit është e ashpër.
Sulmuesi, në fakt, kërkohet dhe nga Real Madrid dhe Manchester City.
Nëse katalanasit nuk do të arrijnë ta sigurojnë, atëherë do të kthejnë sytë nga një tjetër numër 9. Lista e lojtarëve që përfaqësojnë planin B është publikuar nga Diario Sport dhe përmban emrat e Alexander Isak, Karim Adeyemi, Lautaro Martinez dhe, i shtuar kohët e fundit, Robert Lewandowski.
Kontrata e sulmuesit polak me Bayern Munich skadon në verën e vitit 2023 dhe negociatat për rinovimin nuk kanë nisur akoma. Për këtë arsye, lojtari mund të vendosë të ndërrojë ekip në fund të sezonit.
Deri tani në këtë sezon, Lewandowski ka shënuar 42 gola në 35 ndeshje për bavarezët në të gjitha kompeticionet. Ai do të ishte një armë e frikshme për Barcelona-n e Xavi Hernandez.