Daniele Adani, ish-mbrojtësi i Interit dhe tani kolumnist, ka shprehur mendimin e tij për garën e kampionatit italian. Këto janë deklaratat e tij për “Gazzetta dello Sport”: “Juventusi duhet të besojë te titulli, sepse mund t’i fitojë 11 ndeshje radhazi.

Vlahovic bën diferencën me çdo top që prek, por për të përfituar nga kjo, bardhezinjtë duhet të përmirësojnë filozofinë e lojës. Interi i Inzaghit duhet t’i rikthehet golit, ndeshja kundër Juventusit do të jetë vendimtare. Milani i Piolit duhet të shpresojë për rigjenerimin e Ibrës, tri skuadrat e para në renditjen aktuale nuk janë të paarritshme”.

Ndërkohë, “Tuttosport” shkrun mbi planet e merkatos së bardhezinjve: “Juve, të paktën një mesfushor (ndoshta dy); sfidë ndaj Milanit për Sanches”. Përveç Zaniolos, është edhe Renato Sanches që magjeps drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”. Ish-lojtari i Bayern Munich ka rilindur te Lille.

Kontrata e tij skadon në vitin 2023 dhe francezët do të ‘detyrohen’ ta shesin në verë, për të mos e humbur me parametra zero. Juve bëri ‘sondazhet’ e para për të, por loja mbetet ende për t’u luajtur. Klubet angleze janë në gjurmët e mesfushorit portugez, aty është edhe Milani.