Nga Jakin Marena

Ka shkaktuar habi deklarata e kryetares së LSI Monika Kryemadhi, njëherësh dhe bashkëshorte e Presidentit të Republikës, se Ilir Meta do të kryesojë një lëvizje të re politike.

Kryemadhi nuk iu referua as “popullit të 2 marsit”, as ndonjë projekti tjetër të veçantë përtej LSI-së të cilën Meta vetë e ka themeluar dhe drejtuar, paçka se ka qënë në zyrën e kreut të shtetit për pesë vite me radhë, dhe do të jetë deri më 24 korrik të këtij viti.

Dhe Kryemadhi nuk flet pa lejen e Metës. Aq më tepër që në të gjitha artikulimet publike të pas 25 prillit të vitit të kaluar, deklaron se në të gjitha rastet kur nuk ka pyetur bashkëshortin e saj, si në vendimin për djegien e mandateve ashtu dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit duke dëgjuar Bashën dhe të tjerët, ishte “djegur”.

Pra deklarata e Kryemadhit ka qënë e mirëmenduar dhe e konsultuar rëndshëm me Metën. “Nuk e di nëse Ilir Meta do të kthehet në LSI apo jo sepse LSI është shumë e vogël për Metën, është një kostum që i rri ngushtë, por mund të jetë ideatori i një lëvizjeje të re që rikthen identitetin kombëtar dhe integritetin tonë, por mendoj se do të jetë një iniciativë.

Për hir së vërtetës, na pëlqen apo s’na pëlqen, është politikani i vetëm që Kryemadhi me Bashën me vendimet që morën, e përballën tre herë me togat e pushkatimit: dy herë në Venecia ku ai e fitoi betejën dhe 1 herë në Gjykatën Kushtetuese. Meta është instrument që bashkon shumë grupe”, tha Kryemadhi ndër të tjera.

Pra bëhet fjalë për një lëvizje politike përtej LSI-së dhe që referuar deklaratës së Kryemadhit bashkon parti të tjera apo grupe politike, për të formatuar një koalicion akoma më të madh dhe për të qënë faktor përcaktues në politikbërjen e vendit.

Ndonëse Meta është një politikan i konsumuar, i akuzuar për afera nga më të ndryshmet, por dhe për shkeljen e Kushtetutës sa kohë është President i Republikës, i anashkaluar nga zyrtarët e lartë të SHBA dhe të BE, gati gati i shpallur një person “non grata”, ambicia e tij është aq e madhe sa prevalon mbi të gjitha këto vështirësi.

Duke shtuar këtu dhe hallin e madh që ka përpara, herët a vonë do të përballet me drejtësinë e re për të gjitha akuzat që sëpaku ka hedhur mbi të “pika e dobët” e tij Sali Berisha, që nga akuza për vrasje e fshehje kufomash, vrasje me pagesë, korrupsion të theksuar sa kohë ka qënë në ekzekutiv, vjedhjen e floririt të Kërrabës dhe një sërë akuzash të tjera, Presidenti aktual është i dëshpëruar që të kryesojë një lëvizje të madhe politike përtej LSI-së.

Pasi Ilir Meta e ka pasur ëndërr të kryesojë një parti të madhe politike. Ishte kryetar i FRESSH, nënkryetar i PS, kryeministër në emër të PS, dhe për pak arriti në “finishin” e drejtimit të forcës më të madhe politike në vend. Përballë kishte një pengesë: Fatos Nanon.

“Gabimi” i vetëm që bëri ishte pse në vitin 2002, pavarësisht se i kishin votat si mazhorancë për të zgjedhur presidentin me 84 vota, nuk lejoi Fatos Nanon të bëhej President. Dhe jo sepse kishte hallin e demokracisë apo ballancimit të pushteteve, siç e ka justifikuar qëndrimin e tij kundër ish kreut të PS për t’u zgjedhur President, nga “katarsisi” i të cilit disa muaj më vonë dha dorëheqjen si kryeministër. I detyruar kuptohet!

E vërteta e kulluar ishte se kërkonte ta nxirrte Fatos Nanon jashtë loje me “duar në xhepa”, pasi i kishte premtuar një mandat të dytë presidencial presidentit të atëhershëm Rexhep Meidani. Bashkë pastaj mendonte se mund të dominonte qeverisjen e politikën për disa vite të stërzgjatura. Por me sa duket nuk i shkoi gjithçka sipas planit. Nano rikuperoi, mori në dorë partinë dhe qeverisjen e vendit, ndërkohë që në skenë kishte dalë si rival në parti Edi Rama, asokohe kryetar i suksesshëm i bashkisë së Tiranës. Ndërsa Meta u fsheh pas Meidanit dhe nuk u përball me Nanon për postin e kryetarit në kongresin e vitit 2003. Ndërsa Rama konkurroi, u përball me Nanon për kreun e PS, pavarësisht se humbi.

Ilir Meta themeloi LSI në vjeshtën e vitit 2004, dhe vetëm gati 8 muaj më vonë vendi i kryetarit të PS mbeti vakant, pas humbjes së zgjedhjeve të korrikut 2005 dhe dorëheqjes së Fatos Nanos nga posti.

Meta ishte “ngutur” me largimin e tij përmes themelimit të një force politike, dhe ishte tepër vonë për t’u kthyer dhe për të marrë drejtimin e PS. Po të kishte duruar dhe pak muaj, duke e minuar Nanon nga brenda ai ishte në kuota të larta për të kryesuar partinë më të madhe politike në vend.

Në vend të tij ishte një aktor i ri politik, Edi Rama, ai që mori drejtimin e PS, të cilën e ka dhe sot dhe është në mandatin e tretë rresht në qeverisjes, ku me shumë gjasa do të fitojë dhe të katërtin.

Pendesën për ngutjen për t’u larguar nga PS dhe themeluar LSI-në e ka shprehur herë pas herë në mënyrë indirekte dhe vetë Ilir Meta, por “vapa kishte ikur me gushtin”. Dhe më mirë që PS nuk ra në duart e Metës, pasi do të ishte dramë kombëtare që një parti e tillë të kthehej në një parti klienteliste dhe pazaresh.

I thamë këto për të treguar se Meta tashmë ka zënë mend dhe me patjetër kërkon të kapë një parti të madhe politike për ta “aliazhuar” me LSI-në dhe për të formatuar një grupim të madh politik që të pretendojë për të ardhur në qeverisjen e vendit. E ka ëndërr Meta të rikthehet dhe njëherë në kolltukun kryeministror. Pastaj e di vetë se si vepron, tashmë që ka fituar dhe “përvojë”.

Dhe teksa lexon me vëmendje mesazhin e Kryemadhit, s’mund të mos vësh re se bëhet fjalë për bashkimin e shumë grupeve politike, për një lëvizje politike. Duke qënë se të gjitha partitë politike të opozitës të bëra bashkë s’arrijnë dot votat e PS-së që konkurron e vetme në zgjedhje, Meta me sa duket ka në fokus PD-në, që tashmë sërish është pushtuar nga Sali Berisha.

Provën e parë “gjenerale” grupimi i “Rithemelimit” bashkë me kandidatët e saj me LSI pa PD-në zyrtare e dha në zgjedhjet e pjesëshme vendore në 6 bashki më 6 mars. Ky grupim, u udhëhoq për fushatë nga Berisha dhe pa PD e Bashës dhe nën siglën e LSI arriti gati 31% të mbështetjes së elektoratit të këtyre njësive vendore. Shtuar dhe 13 përqindshin e Bashës, por nën presionin e konfliktit dhe përplasjeve brenda opozitës, arriti të marrë tek 44-45 përqind të votave në këto zgjedhje. Pra ofron shpresë sipas kalkulimeve të Metës dhe të Berishës për të pretenduar një rritje akoma më të madhe.

Por zhvillimet më të fundit në PD, teksa Berisha ka marrë tashmë në zotërim këtë parti, bashkë me selinë dhe vulën e partisë, një dorë ia dha dhe gjyqtari Zhukri me vendimin e Gjykatës së Tiranës që certifikoi kuvendin e 11 dhjetorit të vitit të kaluar të Berishës, ku Basha dhe kryesia zyrtare u shkarkuan, por duke parë dhe rezistencën e Alibeajt dhe një grupi të vogël mbështetës për të mos pranuar Berishën “non grata”, takimet spontane të Bashës me bazën demokrate, kanë sjellë në vëmendje mundësinë e bashkimit të PD me LSI, në një koalicion të përhershëm.

Ku të dy partitë do të funksionojnë si “autonome” brenda lëvizjes së madhe, pa përcaktuar se si do jetë emri, e që kësaj forme bashkimi i vjen në ndihmë dhe statuti i PD që legalizon fraksionet.

Berisha e di se kryesimi nga vetë ai i PD nuk do afrojë ditën e ardhjes së kësaj partie në pushtet. Përkundrazi do ta largojë akoma më shumë.

Pasi SHBA dhe BE nuk e shohin Berishën si një zgjidhje për të kryesuar partinë më të madhe opozitare. Pra si partner bashkëpunues si lider i opozitës. SHBA e ka shpallur Berishën person “non grata” për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë në Shqipëri dhe presion mbi drejtësinë. Për më tepër që sa herë u është dhënë rasti, ambasadorja e SHBA Yuri Kim por dhe zyrtarë të lartë të Uashingtonit, si në rastin e Escobar, e kanë nënvizuar prerë se ky “titull” nuk do t’i hiqet Berishës deri në vdekjen e tij biologjike dhe se me atë kryetar, nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me PD.

Berisha është politikan jetëgjatë dhe pavarësisht çfarë thotë për konsum politik, pa mbështetjen e SHBA asnjë parti politike nuk vjen në pushtet. Tjetër çfarë pretendon Berisha duke sjellë në vëmendje fitoren e zgjedhjeve të vitit 2005, teksa 8 vite më parë ishte thuajse “non grata” dhe nuk e qaste njeri. Shtuar këtu dhe frikën e ndonjë veprimi të papritur gjykat që i heq nga duart në mënyrë zyrtare zotërimin e PD.

Për këtë arsye Berisha ka menduar të zgjedhë të keqen më të vogël sipas tij, lënien e partisë në dorën e një të besuari të tij, për ta pasur si mburojë për hallin që e ka zënë me SHBA-në por dhe me drejtësinë shqiptare, pasi “laku” po i mblidhet dhe dosjet kundër tij janë në proces hapjeje.

Duke qënë se brenda PD nuk po gjen dot një figurë që mund të mbajë partinë për ta drejtuar, por dhe t’i shërbejë atij e të mbledhë vota për të qënë faktor në Shqipëri, Berisha mendohet që drejtimin e PD, në koalicion me LSI, t’ia kalojë Ilir Metës për ta drejtuar pas 24 korrikut, kur ai do të lërë zyrën e Presidencës, me përfundimin e mandatit. Zërat në koridoret e dy partive e konfirmojnë me gjysmë zëri një version të tillë.

E themi këtë pasi Berisha e di fare mirë se ikja e Bashës e ka krijuar një “frakturë” në PD, këtë po e tregon qëndresa e kryetarit të komanduar të PD deri dje zyrtare Enkelejd Alibeaj, i cili nuk e dëshiron një “non grata” si Berisha jo më në krye të PD por as në grupin e saj parlamentar. Ia tha në sy dhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PD të ditës së enjte.

Njëherësh lideri historik i PD e ka të qartë se pa një grupim të gjërë opozitar nuk mund të pretendojë të jetë një alternativë për të ardhur në pushtet. Aq më tepër po të drejtohet prej tij, si person “non grata” e i izoluar nga faktori ndërkombëtar, shtuar këtu dhe barrën e akuzave që ka mbi supe për zullumet e bëra në 30 vite të qeverisjes së vendit dhe të PD.

Për t’i qëndruar konseguent deklarimeve të tij se Basha gaboi që nuk bëri aleancë me LSI, se pa një bashkim të gjërë të të gjithë faktorëve opozitarë PD nuk mund të pretendojë të hyjë në lojën e pushtetit, me sa duket po zgjedh të keqen më të vogël: Ia lë drejtimin e grupimit Ilir Metës, i cili të paktën formalisht nuk është shpallur ende “non grata” nga SHBA. Njëherësh duke qënë se të dy kanë të njejtin hall, Berisha më shumë i beson Metës që t’i japë PD-në se sa kujtdo besniku tjetër brenda partisë që ka pushtuar, duke e marrë nga Basha i dorëhequr. I bashkon halli të dy.

Prandaj deklarata e Kryemadhit është pikërisht në këtë diskurs politik, teksa thotë se LSI i rri ngushtë Metës dhe se ai do të kryesojë një lëvizje të gjërë politike, pasi sipas saj ka treguar se di t’i bashkojë të gjitha grupimet. Ky është një variant për të mbajtur në lojën politike Berishën dhe Metën, përmes “aliazhit” PD-LSI plus parti të tjera të vogla opozitare, që janë pro zgjerimit të koalicionit opozitar përballë Ramës. Ndoshta varianti i vetëm për të gjetur një “strehë” politike. Madje plotëson dhe “kushtin” e kundërshtarëve brenda PD, të cilët janë kundër drejtimit të partisë nga një person “non grata” siç është Berisha!

Megjithatë, është vështirë të besohet se dhe me këtë mënyrë funksionimi opozita do të mundë të përballojë makinën elektorale të Edi Ramës, që ka treguar se prodhon një rezultat të konsoliduar, mbi 800 mijë vota në çdo palë zgjedhje. Por Berisha dhe Meta pritet ta provojnë. Sëpaku mesazhi i mirëmenduar dhe konsultuar i Kryemadhit drejt këtij varianti të çon. Të presim, pasi situata në PD por dhe në LSI vijon të jetë e turbull. Por dhe Berisha e Meta ndjehen “zbuluar”.