Nga Jakin Marena
Situata në PD është në një kaos të plotë, duke tejkaluar të gjithë parametrat normalë të një krize për një parti politike. Jo se nuk ishte e rrënuar që pas shtatorit të vitit 2021, teksa Basha përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i demokratëve duke filluar në këtë mënyrë dhe “cirkuitin” e përplasjeve në këtë parti nën moton “të gjithë kundër të gjithëve”, por zgjedhjet e pjesëshme vendore të 6 marsit në 6 bashkitë pa kryetar e zhytën Partinë Demokratike përfundimisht në një krizë të thellë.
E kemi thënë dhe herë të tjera, se më shumë se zgjedhje vendore dhe përplasje me mazhorancën e Edi Ramës për të fituar ndonjë bashki, beteja më e madhe mes PD zyrtare të drejtuar nga Lulzim Basha dhe “Rithemelimit” të drejtuar nga Sali Berisha që hyri në zgjedhje bashkë me LSI nën siglën “Shtëpia e Lirisë”, ishte një betejë për jetë a vdekje brenda demokratëve.
Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë në Shqipëri dhe presion ndaj sistemit të drejtësisë, e kishte një betejë për mbijetesë, për të marrë pozitat e lidershipit të PD dhe për ta përdorur këtë “kartë” si një tregues para SHBA se nuk mund të injorohet, me argumentin se ka mbështetje tek e djathta.
Pra e donte PD-në si një “mburojë” politike përballë aleatëve tanë të mëdhenj, por dhe përballë drejtësisë, për shkak të akuzave të shumta që e kanë shoqëruar në 31 vitet e tij në politikë, herë si president e herë si kryeministër, për shkak të zullumeve të shumta dhe abuzimit me paratë e shqiptarëve. Theksojmë janë akuza të bashkëpunëtorëve të tij e mik-armiqve të tij, mes të cilëve dhe aleati i vetëm sot Ilir Meta, presidenti aktual.
Investoi shumë Berisha në para, presione, takime dhe akuza ndaj Lulzim Bashës në fushatën e 6 marsit, duke arritur të marrë vendin e dytë në politikën shqiptare në këto zgjedhje me duke spostuar PD-në zyrtare në vendin e tretë për herë të parë në histori. Por dhe duke marrë me kandidatin Bardh Spahia bashkinë e Shkodrës.
Ndërsa Lulzim Basha tregoi dhe njëherë atë që e kemi përcaktuar që në fillim të herës se është një dembel funksional, një njeri që pret të marrë gjithçka qyl, dhe u mjaftuar me “përforcimin” e dyerve të blinduara të selisë së PD, si dhe i la rrugë të lirë idesë se mjaftonte të deklaronte që kishte aleat SHBA-në dhe të sulmonte “trekëndëshin e Bermudës” dhe fitorja do t’i buzëqeshte atij në këto zgjedhje, pa e bërë një hap jashtë zyrës së partisë. Realiteti është krejt ndryshe nga ai që percepton Basha dhe këtë e treguar dhe shifrat në të parën përballje politike me “babain” e tij politik, që ishte i zemëruar me të dhe e akuzonte për “besëprerje”.
Tani Berisha, me “kartën” e fitores më 6 mars mbi PD zyrtare të udhëhequr nga Basha, jo vetëm që është trimëruar e i ka ardhur zëri, por po pretendon dhe për të qënë kryetar i gjithë të djathtëve dhe se do bëhet kryeministër i vendit, me pretendimin se vetëm ai e mund Edi Ramën.
Eshtë një zhvillim tejet i rrezikshëm tek opozita shqiptare, ku “celula anti-amerikane” Berisha-Meta, tashmë ka zënë vendin e partisë së dytë politike në Shqipëri, dhe është opozita më e madhe, duke rrezikuar të kthehet në një formacion politik ant-amerikan që pretendon ardhjen në pushtet, duke iu prezantuar shqiptarëve si alternativë e parë, pas PS së Edi Ramës.
E themi këtë pasi PD zyrtare, pas humbjes më 6 mars, është zhytur në kaos të plotë, me të dy nënkryetarët Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma që kanë dhënë dorëheqjen. Ndërsa shumica e deputetëve të kësaj pjese mbështetëse e Bashës deri më 6 mars ka kërkuar me këmbëngulje dorëheqjen e tij nga kreu i partisë. Duke i vënë madje dhe ultimatum, i cili skadon në orën 24.00 të ditës së sotme dhe paralajmëron zhvillime të tjera të forta në të dy pjesët e PD.
Teksa Basha përfundimisht është i vdekur politikisht, e mbështesin vetëm disa kryetarë rrethesh, por dhe një ose dy deputetë, pasi dhe bashkëpuntorët më të afërt Gazment Bardhi sekretar i përgjithshëm dhe nënkryetari tjetër i PD dhe kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, i kanë kërkuar atij që të bëjë hapa pas për të bashkuar partinë, deputetët demokratë jo vetëm kërkojnë publikisht largimin e tij nga posti i kryetarit por kanë filluar dhe të “flirtojnë” me “Foltoren”, nën okelion e nevojës për bashkim të të gjithë demokratëve.
Deputetët e PD lëvizin pa busull, nuk marrin vendime si të sillen ndaj ligjeve dhe akteve normative në Kuvend, çfarë qëndrimi të mbajnë në favor të opozitarizmit, duke u vërtitur në dilemën: Nga t’ia mbajmë për të mbijetuar politikisht, të bashkohen me Berishën apo të operojnë brenda PD-së zyrtare, pa Bashën kryetar, duke bërë përpjekje për të zgjedhur lidershipin e Partisë Demokratike që ka mbetur, të katandisur nga Basha në vendin e tretë.
Megjithëse dhe këtu ka futur “spicat” Berisha, që përmes njerëzve të tij po “negocion” për të bërë bashkimin e partisë sipas tij, në një të vetme në Kuvendin që do të vendosë dhe datën e votimit për kryetar. Pa pritur asnjë vendim gjykate, pasi janë tre Kuvende që presin shqyrtimin në Gjykatën e Tiranës, i korrikut dhe 18 dhjetorit 2021 të Bashës dhe i 11 dhjetorit ntë Berishës.
Për “Rithemelimin” vendimi i gjykatës është një formalitet pasi 6 marsi sipas Berishës tregoi se kush është shumicë në PD. Ndërkohë që Basha, në pritje të skadimit të ultimatumit të deputetëve kundërshtar tek “parcela” e tij e PD, po fiton kohë për të mbërritur deri më 18 mars, pra të premtën e kësaj jave, ku mendohet se Gjykata do të vendosë për ndryshimet në statutin e partisë në Kuvendin e korrikut të vitit të kaluar e certifikimin e tij zyrtar si kryetar i PD dhe me vendim gjykate. Ndoshta pret dhe ndonjë mrekulli nga i dërguari i CDU gjerman dhe PPE-ve, Elmar Brok, një mik i kahershëm i demokratëve dhe së prapthi, i cili thuhet se është në Shqipëri me një mision pajtimi mes Berishës dhe Bashës.
Eshtë një lëmsh i vërtetë, ku Berisha po e “gërryen” në të gjitha format PD-në përmes luftës së tij deri në rrënim ndaj Bashës dhe diversionit tek mbështetësit e tij, ndërkohë që Basha i “vdekur” politikisht duket i dorëzuar tashmë, duke u mbajtur pas një “fije bari” që janë disa kryetarë të emëruar degësh në rrethe dhe ndonjë vendim gjykate. Megjithëse nuk i garanton dominimin në PD pasi tashmë është kthyer në një humbës funksional dhe nuk ngjall asnjë shpresë se mund të fitojë ndonjë ditë përballë Ramës.
Madje dhe Berisha “non grata” e nxori të tretin në renditjen e partive politike në Shqipëri. Kurse deputetët vërtiten pa busull, në pritje të përcaktimit të lidershipit më të fortë në PD, për t’iu bashkangjitur atij, siç ka ndodhur gjithmonë në partitë politike shqiptare.
Madje dhe shumë nga panelistët, mbështetës të Bashës, tashmë nuk e kanë atë “tharmin” mbrojtës të liderit zyrtar të PD, por më shumë merren me arsyet pse Berisha nuk duhet të jetë në krye të PD, me argumentin se e kthen atë në një parti anti-Perëndim. Dhe kanë të drejtë, por me sa duket sikurse po vjen situata në PD, zgjidhja do të jetë një operacion shumë i vështirë, që mund të konsistojë në paralizën e marrëdhënieve të kësaj partie me partnerët ndërkombëtarë. Gjithnjë nëse fiton Berisha, ose mbështetësit e Bashës kalojnë me të.
Ka shanse që nëse bëhet një zgjedhje e re në krye të PD zyrtare, duke përjashtuar Bashën si kryetar, mund të ketë një ngritje të ngadaltë të kësaj partie, duke thithur dhe elementë të rinj nga figurat potente me orientim pro SHBA dhe BE, por që mund të mbledhë rreth vetes dhe të zhgënjyerit nga Berisha “non grata”. Megjithëse duket pak si utopi që të ndodhë kjo!