Ish-Kryeministri Sali Berisha foli për gazetarët në dalje nga Kuvendi ku u pyet nga gazetarët për zhvillimet në selinë blu pas zgjedhjeve të 6 Marsit.
Berisha tha se respekton mendimin e çdokujt dhe theksoi se qëndrimi i tij dhe i PD-së është “hapje e plotë mbi bazën e kontributeve ndaj atyre që pranojnë votën e lirë”.
Po ashtu ai u shpreh se ka komunikim me deputetët që kanë dalë kundër Bashës dhe është i hapur për të komunikuar me të gjithë deputetët pa asnjë lloj hezitimi.
Sali Berisha: Respektoj çdo mendim të cilitdo. Unë kam theksuar cili është qëndrimi i PD-së dhe i Sali Berishës, hapje të plotë ndaj të gjithë atyre, mbi bazën e kontributeve, ndaj atyre që pranojnë votën e lirë. Kjo është gjithçka që mund të them.
Nëse kushti i vetëm për të bashkuar demokratët dhe t’i hapet rruga një gare të drejtë dhe pa favore në PD, a do ishit i gatshëm të largoheshit?
Sali Berisha: Kushti i vetëm që mund të pranohet edhe njëherë është vota e lirë, nëse ky kusht nuk pranohet, asgjë tjetër… Mendoj se “nëna e nënave” e të gjitha problematikave është shkelmimi i votës së lirë.
Keni komunikime me deputetët demokratë që kanë dalë së fundmi kundër Bashës?
Sali Berisha: Sigurisht që kam. Me të gjithë deputetët jam i hapur për komunikim pa asnjë lloj hezitimi, janë deputetë të PD-së.