Nga dita e premte Komisioni i Rithemelimit ka marrë kontrollin e selisë së Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Tiranës certifikoi Kuvendin e 11 Dhjetorit.
I ftuar në Radar Informativ, me Juli Xhokaxhi, deputet Belind Këlliçi tha se vijon puna për heqjen e dyerve të blinduara. Këlliçi u shpreh se asnjë prej mbështetësve të Lulzim Bashës nuk është paraqitur në seli.
“Kam qenë në tre ditët e fundit në seli. Një lajm i mirë që ka qytetarë që janë rikthyer. Askush nga mbështetësit e zotit Basha nuk kanë qenë prezentë. As zoti Alibeaj, kryetar grupi se nuk ka kryetar të komanduar është shkarkuar. Në godinë nuk ndodhet askush. Në ndryshim nga ata mentaliteti ynë është përbashkues. Mund të vinë kur të duan. Janë zhdukur nga dita e premte kur ne vajtëm në seli”, u shpreh Këlliçi.
Deputeti konfirmoi po ashtu edhe ndryshimet në zyrën e shtypit. Ai tha se në këtë zyrë ndodhet vetëm Silvi Bardhi. “Në zyrën e shtypit nuk ndodhet asnjë tjetër përveç zonjës Silvi Bardhi. Kemi rikthyer në punë rojen”, theksoi ai.
Grupi parlamentar është i vetmi organ legjitim në PD
Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, i ftuar në ‘Radari Informativ’ në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, deklaroi se i vetmi organ legjitim në PD është grupi parlamentar.
Ai tha se jo vetëm me vendim gjykate por mjafton të shohësh Kuvendin e 11 Dhjetorit për të parë se kush është shumica.
Këlliçi tha se Kuvendi i 11 Dhjetorit i shkarkoi edhe kryetarin, edhe 4 nënkryetarët edhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD, prandaj sot këto funksione janë ilegjitime, dhe i vetmi organ legjitim në PD është grupi parlamentar, pasi deputetët janë zgjedhur me votë popullore.
“Organi i vetëm legjitim dhe përfaqësues sot në PD është grup[i parlamentar sepse janë të gjithë të zgjedhur me votë nga shqiptarët. Jo vetëm vendimi i Gjykatës por mjaftonte Kuvendi i 11 Dhjetorit për të kuptuar kush është mazhoranca. Kuvendi i 11 dhjetorit ka marrë një vendim për të shkarkuar 4 nënkryetarë, Sekretarin e Përgjithshëm”, tha Këlliçi.