Nga Jakin Marena/
Sali Berisha pas tre muajsh rikthehet fitues dhe zyrtarisht në selinë e PD, duke nisur të ushtrojë atë që di më mirë për fatin e keq të demokratëve, autoritarizmin në këtë parti. Njëherësh merr fund dhe ëndrra e bashkimit të PD përmes një dioalogu apo negociatash sikurse ishte hedhur ideja në tregun politik, mes grupimit që ishte drejtuar nga ish kryetari Lulzim Basha dhe “Rithemelimit” të komanduar nga Sali Berisha.
Pasi u harxhuan orë të tëra mbledhjesh të një pjese të grupit parlamentar të PD të drejtuara nga kreu i komanduar Enkelejd Alibeaj, kryesisë së kësaj partie dhe debatesh pa fund për mënyrën se si duhej të gjendej modaliteti për bashkimin e partisë, pasi u harxhuan orë të tëra opinionesh nëpër studiot televizive nga ana e panelistëve që asnjëherë nuk arrinin një konvergjencë qëndrimi për situatën në PD, afër mesditës së sotme gjithçka ka marrë fund. Vendimi së premtes i Gjykatës së Tiranës për të njohur statutin e Kuvendit të 11 Dhjetorit të Berishës, i ktheu vulën dhe selinë demokratëve të “Rithemelimit”, duke njohur dhe shkarkimin e Bashës dhe të kryesisë së PD të miratuar në Kuvendin e korrikut po të vitit të kaluar.
Pra Gjykata njohu Kuvendin e 11 dhjetorit, të gjitha vendimet e marra në këtë Kuvend, përfshirë dhe ndryshimin e statutit të PD nga grupi i Berishës, e për pasojë dhe drejtimi i partisë nga ana e “Komisioni i Rithemelimit” deri në Kuvendin e 30 prillit, i cili do përcaktojë dhe rrugën nëpër të cilën do të lëvizë PD në muajt dhe vitet e ardhshme. Ndryshimi i vetëm është se pasi palët kanë përjashtuar njëra tjetrën, kanë miratuar statutet e tyre duke përkufizuar se si do të silleshin me kundërshtarët brenda partisë, ishin zgjedhjet e 6 marsit për bashkitë e mbetura pa kryetar ato që përcaktuan balancën finale se kush e kishte lidershipin e kësaj partie.
Për pasojë, grupimi zyrtar deri më sot i ish kryetarit Basha arriti të merrte vetëm 13 përqind të votave, ndërsa “Shtëpia e Lirisë” e Berishës tek 30 përqindshi i mbështetjes më 6 mars, duke sjellë një “firo” të pamenduar më parë për partinë zyrtare më të madhe opozitare e cila kishte hyrë në zgjedhje me siglën, strukturat dhe zotërimin e selisë buzë Lanës. Ndërkohë që pas 6 marsit, “firot” nga ky grupim dhe kalimet tek grupi i Berishës janë akoma më të mëdha, pasi siç ndodh rëndom në Shqipëri, jo vetëm të lëkundurit por dhe “gjuetarët” e posteve kalojnë me fituesin.
Merret me mend se si është situata tashmë në grupimin që drejtohet nga kryetari i komanduar Alibeaj, ku në prapaskenë madje në zyrën e tij, qëndron ish kryetari Basha, që dha dorëheqjen disa ditë më parë.
Ndërsa në zgjedhjet e 6 marsit Basha nuk kishte mundësi as të gjente komisionerë dhe numërues, kujtojmë se në bashkinë Vorë nuk mundën të gjenin asnjë komisioner, ndërkohë që në bashkitë e tjera i gjetën në mënyrë private dhe me pagesë vetë kandidatët e Bashës, tani situata është akoma më e rëndë pas humbjes në zgjedhje dhe sidomos pas vendimit të gjykatës së Tiranës që “certifikon” Sali Berishën dhe “Rithemelimin” si lidership të PD, duke i bërë ata drejtuesit zyrtarë të partisë më të madhe opozitare. Grupimi i ish kryetarit Basha s’arrin dot as të mbledhë strukturat dhe forumet për shkak të mungesës së kuorumit, ndonëse me vendimin e sotëm merr fund drejtimi zyrtar i PD prej tyre.
Tashmë palët janë kthyer në pikën e nisjes, në shtator të vitit të kaluar, kur gjithë konflikti shpërtheu për shkak se Basha mori një vendim personal për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD për arësye se muaj më parë SHBA e kishte shpallur atë “non grata” familjarisht për korrupsion të lartë, minim të demokracisë në Shqipëri dhe presion e shantazh ndaj drejtësisë.
Sali Berisha e grupimi i tij “Rithemelimi” asnjëherë pas 6 marsit në artikulimin e tyre publik nuk kanë përmendur negociatat për bashkim por vetëm dialog e ftesë për kundërshtarët brenda PD që të afrohen dhe t’i nënshtrohen votës së demokratëve në kongresin e 30 prillit të caktuar nga vetë Berisha, për të garuar për postin e kryetarit kush dëshiron apo dhe për strukturat e forumet partiake.
Duke folur nga pozitat e të fortit, me sa duket e kishin parashikuar një vendim pozitiv të Gjykatës së Tiranës, në mos kishin punuar fort për këtë qëllim për të marrë një vendim pozitiv, Berisha dhe mbështetësit e tij nuk kishin pranuar të bisedonin për ngritjen e ndonjë grupi pune për bashkimin e PD. Aq më tepër që nuk kishin marrë në konsideratë asnjë prej kushteve të vëna nga mbështetësit e Bashës, të cilët përcaktonin “vija të kuqe” si kusht për arritjen e bashkimit të madh mes demokratëve dhe vijimit të jetës partiake si një parti e bashkuar.
Për hir të së vërtetës mbledhjet e pjesës së mbetur të grupit parlamentar të PD që vijon dhe sot të jetë në seli por dhe të kryesisë dhe të Kolegjit të Kryetarëve të përbërë nga krerë të emëruar të degëve të PD dhe përfaqësues të strukturave vendore, na risjell në kujtesë debatin që bëhej dikur nga senati në zemër të Bizantit për seksin e ëngjëjve, ndërkohë që ushtria e Sulltan Mehmet Fatihut ishte në portat e Kostandinopojës, kryeqytet të cilin e pushtoi me një sulm të rrufeshën nga deti dhe përmes artilerisë së rëndë.
Dhe Berisha arriti të hyjë sot në selinë e PD, me mandatin e Gjykatës në “dorë”, bashkë me “Rithemelimin”. Madje të takojë dhe shtrëngojë duart dhe me Bardhin e Alibeajn dhe të kërkojë kontributin e tyre për bashkimin e PD. Kaq dhe doli në konferencën për shtyp, duke lënë për të kuptuar se nuk lëviz nga qëndrimi fillestar: Trajtimin e tyre si humbës.
Ndërkohë që Alibeaj i qëndron mendimit të grupimit që përfaqeson në PD, teksa nënvizon se “ajo çfarë i thashë Berishës, ishte kjo: PD 30 vite pas formimit të saj, nuk mund të mbrojë interesat e demokratëve duke pasur brenda saj një individ, një konflikt politik i cili është etiketuar nga SHBA si ‘non-grata”! Pra asnjë tërheqje!
Por situata është kthyer përmbys për grupimin e Bashës së dorëhequr, dhe duke qënë jo vetëm në pakicë por tashmë dhe pa vulën e partisë, janë të detyruar që t’i nënshtrohen përfshirjes si demokratë të thjeshtë në jetën politike të PD, ku sipas Statutit gjithkush ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet dhe që duhet të djersijnë shumë nëse duan që të jenë pjesë e strukturave apo forumeve të kësaj partie. Tani “qyli” ka marrë fund, nuk kalon dy herë lumi në të njejtin breg.
E themi këtë sepse Berisha, duke pasur fuqinë e mbështetjes së anëtarësisë dhe zyrtarisht vulën e selinë e PD me vendim gjykate që certifikon Kuvendin e 11 dhjetorit, i cili vendosi shkarkimin e kryesisë, hodhi Bashën në votim për shkarkim në referendumin e 18 dhjetorit të vitit të kaluar dhe e shkarkoi, si dhe ndryshime të tjera statutore, as do ta çojë në mendje ngritjen e ndonjë komisioni dypalësh negociimi apo bisede me kundërshtarët brenda PD. Me kë të negociojë?!
Basha kishte ikur nga selia, Bardhi e Alibeajn u gjendën aty, sepse s’kishin fuqi për një përballje tashmë aspak komode me Berishën si më 8 janar për të mbajtur selinë.
Tashmë takimet me deputetët e lëkundur janë në kulmin e vet dhe mendohet që Basha të mbetet me disa deputetë mbështetës, ndërkohë që pjesa tjetër ka lëvizur drejt “Rithemelimit”. Deputetja e fundit lëvizi që sot, u bashkua me Berishën. Duke njohur qëndrimin autoritar të Berishës, inatin e madh që ka ai me Bashën por dhe disa nga mbështetësit e tij, situata bëhet akoma dhe më e rëndë në PD, duke i dhënë fund ëndrrës së bashkimit të dy grupimeve në këtë parti, përmes negociatave dhe dialogut. Pavarësisht ftesave dhe deklaratave, që të kontribuojnë si “ushtarë” të thjeshtë për bashkimin e PD.
Kriza në PD bëhet akoma më e rëndë, pasi Kuvendi i 11 dhjetorit i Berishës kishte marrë dhe një vendim tjetër në dëm të njerëzve të Bashës, që ndonëse në pakicë, kishin shpresë se s’do dilnin pa gjë në një negociim me palën e Berishës, për të shpëtuar karrierën e tyre politike. Ka qënë përfaqësuesi ligjor i “Komisionit të Rithemelimit” Ivi Kaso ai që është shprehur se “në vendimmarrjet e rëndësishme të datës 11 Dhjetor, një nga vendimet në një pikë të rëndësishme të tij ka anulimin e thirrjes së Kuvendit të 18 Dhjetor si i thirrur në mënyrë të paligjshme nga një kryesi e cila në momentin që ka bërë këtë thirrje ishte e pakonstituuar. Dhe ky vendim tashmë është regjistruar praktikisht në regjistrin e partive politike dhe anulimi i thirrjes së Kuvendit. Pra ligjërisht s’ka një Kuvend të thirrur në mënyrë të ligjshme në datën 18 Dhjetor”.
Pra Kuvendi i Bashës shpallet nul me këtë vendim gjykate të dhënë këtë të premte, duke bërë njëherësh të panevojshëm dhe marrjen në shqyrtim të dokumentacionit të Kuvendit të 18 dhjetorit, pasi automatikisht quhet i paqenë. Një situatë të tillë e kanë kuptuar dhe mbështetësit e Bashës, të cilët që të enjten mbrëma përmes sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi akuzuan gjyqtarin Agron Zhukri se kishte takuar një eksponent të “Rithemelimit”, duke paralajmëruar se vendimi i të premtes ishte i paligjshëm, i paracaktuar dhe i paragjykuar, dhe për këtë arsye do t’i drejtoheshin drejtësisë.
Ndërkohë që menjëherë pas vendimit, ka qënë kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj ai që paralajmëroi kallëzim për gjyqtarin Zhukri, i cili njohu ndryshimet statutore të Kuvendit të organizuar nga Berisha. Alibeaj akuzoi se vendimi është marrë pa pasur prova dhe në mungesë të palëve në sallën e gjyqit dhe se ky vendim është i zbatueshëm vetëm pasi të jetë marrë edhe nga Gjykata e Apelit. Teksa pala e Bashës i drejtohet gjykatës për vendimin që certifikoi Berishën si drejtues të PD, është lehtësisht e kuptueshme se kur hyn gjykata në mes, atëherë dialogu dhe dëshira për bashkim ka marrë fund. Futja në “cirkuitin” e gjykatave për një parti politike, tregon qartë se vendin e dëshirës për bashkim e ka zënë rindezja e konfliktit dhe armiqësia pa kthim. Gjithçka është rikthyer në pikën e nisjes së sherrit, me të vetmin ndryshim se tashmë është grupi i mbështetësve të ish kryetarit Lulzim Basha dhe jo “Rithemelimi” i Berishës, ai që po kërkon rimarrjen zyrtarisht të vulës së partisë dhe drejtimin zyrtar të saj.
Megjithëse mbetet shumë për të diskutuar nëse i ka mbetur njeri këtij grupimi për të pretenduar rimarrjen e PD nga dora e Berishës, i cili ka treguar qartë se kërkon të marrë dhe atë që nuk e meriton, jo më tashmë që ka në dorë me firmë dhe me vulë vendimin e gjykatës që i rikthen “pronën” PD dhe zyrtarisht. Ndërkohë që fati i Kuvendit të 30 prillit të drejtuar nga Berisha si dhe vendimeve që do të burojnë prej tij, përfshirë dhe hapjen e garës për zgjedhjen e kryetarit të PD sipas parimit “një anëtar një votë” dihet. Do të fitojë Berisha apo ai që do të dëshirojë po vetë Berisha. Me atë armiqësi që kanë fituar demokratët mes tyre që nga shtatori 2021, dhe sidomos më 8 janar të këtij viti në përplasjen e dhunshme para selisë së blinduar të PD, ku palët nuk lanë varre, hunj, qyski dhe gaz lotsjellës pa hedhur ndaj njëri tjetrit, fati i pakicës dihet: Do të mbetet jashtë strukturave dhe forumeve të PD. Fituesit në anën e Berishës, e rëndë është që ta themi, por nuk do të kenë asnjë mëshirë për Bashën dhe mbështetësit e tyre.
Por tani nuk mund të flitet më për fatin e Bashës dhe Berishës, apo grupeve që i mbështesin ata por për fatin e PD. E cila ka nevojë dhe për një votë për të pretenduar rikthimin në pushtet. Me sa duket rindezja e konfliktit në PD, teksa pala humbëse i drejtohet gjykatës, e ka konsoliduar mendimin se koha kur opozita do të vijë në pushtet është larguar akoma më shumë. Përballë PS dhe Edi Ramës dhe kur opozita ishte e bashkuar, pavarësisht se kishte në krye një drejtues që e kishte “habitatin” e vet humbjen, nuk kishte fituar asnjëherë dhe nuk fitonte dot. Tani që konflikti ka rinisur në PD dhe kur kjo parti ka nevojë për qetësi, strategji dhe bashkim për të sjellë frymë fitoreje si dhe ka nevojë dhe për një votë më tepër, edhe optimisti më i madh nuk parashikoin rezultat pozitiv për opozitën. Dhe kjo jo vetëm në zgjedhjet e përgjithshme vendore që janë pranverën e vitit të ardhshëm por as në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen në pranverën e vitit 2025.
Misioni fitues i PD tashmë në dorë të Berishës bëhet akoma më i pamundur, për shkak të armiqësisë së tij me SHBA, pas shpalljes si person “non grata” dhe qëndrimit të zyrtarëve të lartë amerikanë se me një PD të drejtuar nga “non gratat” dhe liderë të së shkuarës nuk do të ketë kurrë bashkëpunim. Ende nuk dimë ndonjë vend ku një parti politike anti-amerikane të ketë fituar zgjedhjet dhe të ketë marrë në dorë qeverisjen e vendit. Nuk besojmë se Shqipëria do të bëjë përjashtim, aq më tepër që jemi një vend i vogël, që varet shumë nga ndihmat e gjithanshme të aleatëve tanë strategjikë, ku një mision i tillë është tërësisht i pamundur. Përfundimisht pozicionet politike në Shqipëri tashmë janë përcaktuar: PS do të jetë në qeverisje pafund, ndërsa PD që pritet të formatohet si një parti anti-amerikane për hallin e Berishës, bashkë dhe me LSI-në e Ilir Metës, do të jetë gjithnjë parti e dytë në vend, pa asnjë shans për të ardhur në pushtet. Dhe kjo nuk është e mirë për vendin, pasi Shqipëria nuk ka asnjë alternativë përballë qeverisjes. Sado e shkëlqyer qoftë ajo.