Nga Jakin Marena/
Askush nuk e ka vënë në dyshim se Sali Berisha e ka pasur dhe e ka në zotërim anëtarësinë e PD. Nuk është gjë e re kjo, pasi situata në të cilën ka arritur partia më e madhe opozitare, e ndarë në dy pjesë dhe me dominancë nga Berisha, po e vërteton këte fakt nga dita në ditë.
Anipse Berisha kishte plot nëntë vite që kishte dhënë dorëheqjen zyrtare nga kryesimi i PD, apo fakti se ishte shpallur familjarisht “non grata” nga SHBA, mjaftuan vetëm disa muaj takime me bazën, që demokratët t’i përgjigjeshin thirrjes së liderit historik, duke i dhënë mbështetje.
Ia dhanë në Kuvendin e 11 dhjetorit të vitit të kaluar, kur mbushën stadiumin “Air Albania”, Kuvend në të cilin Berisha shkarkoi nga detyra Lulzim Bashën dhe gjithë kryesinë e PD. Ndonëse vetë Basha mblodhi një Kuvend tjetër në Pallatin e Kongreseve një javë më vonë dhe bëri të njejtën gjë, madje shkoi dhe më tej teksa e përjashtoi Berishën dhe një grup mbështetësish të afërt të tij dhe nga PD.
Por zhvillimet e mëpastajme, takimet masive të Berishës që krahasuar me ato dy tre takime të Bashës, ishin në ndryshim të theksuar, një fakt i pranuar dhe nga kundërshtarët brenda PD, treguan se Berisha kishte në zotërim anëtarësinë e PD. Pavarësisht se Basha kishte selinë, vulën dhe siglën e partisë dhe trashëgonte gjithë strukturat e PD. Por Berisha kishte qënë dhe ishte aty.
Pika kulmore arriti në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, ku grupimi i Berishës bashkë me LSI-në “Shtëpia e Lirisë”, ia doli që me kandidatët e zgjedhur nga Berisha përmes primareve, të arrinte një rezultat befasues: Zhvendosjen e PD zyrtare për herë të parë në historinë 30 vjeçare që nga themelimi i saj, në vendin e tretë në renditjen e partive politike shqiptare. Pra PD u rendit pas PS së Edi Ramës, por dhe grupimit të drejtuar nga Berisha “Shtëpia e Lirisë”.
Kemi folur shumë për arsyet e mosarsyet e këtij rezultati, që fillojnë që nga fakti se Basha është një dembel funksional që e pret gjithçka t’i vijë si dhuratë politike, këtë radhë jo nga Berisha por nga aleati ynë më i madh SHBA, e deri tek fakti se Berisha nuk ka ikur asnjëherë nga PD.
Ka qënë aty, ka luajtur në prapaskenë të gjitha fijet e drejtimit të PD, pavarësisht se Basha duke shfrytëzuar heshtjen e tij, mendoi se duke përjashtuar të gjitha figurat e PD, duke filluar nga Jozefina Topalli, vijuar me Patozin e Bregun dhe përfunduar tek ish ministrat e qeverisjes së kaluar të PD, do të “pastronte” rrugën e tij drejt dominimit të plotë të PD. Ishte një “fshesë” me stil të gjërë që cedoi rëndshëm mbështetjen për PD, pasi ishin figura potenciale, dhe disa syresh si Topalli, Patozi apo dhe Bregu nuk kishin pasur kurrë poste që kishin të bënin me lëvrim milionash. Pra ishin të papërfolur për korruspion. Basha konsolidoi postin e kryetarit, por pa mundur të bëhet lider i PD.
Me sa duket loja e Berishës ka qënë e qartë: Bashës ia kishte dhënë PD-në me “qira”, duke përcaktuar dhe një çmim të “kripur” për këtë dhënie në përdorim të siglës dhe drejtimit të partisë më të madhe opozitare: Ta kishte mbështetje në momentet më të vështira, ta kishte strehë dhe mburojë për ta mbrojtur nga akuzat e shumta për shkak të zullumeve të shumta të kryera në 30 vite qeverisje dhe opozitë. Dhe Berisha ishte koshient që e kishte bërë hak ndëshkimin.
Askush nuk mund t’ia falte shpërthimin e Gërdecit, ku djali i tij Shkelzen Berisha kishte ngritur biznesin e vdekjes. Kishin humbur jetën 26 njerëz të pafajshëm, mes tyre dhe fëmijë në atë shpërthim, ishin plagosur mbi 300 të tjerë, pa llogaritur traumën e shkaktuar në tërë zonën apo humbjet materiale tek banorët dhe bizneset, që panë t’u shuhej para syve gjithë mundi i jetës.
Berisha e di se askush nuk ia fal aferën e Rrugës së Kombit ku shteti me një “dorë” humbi plot 230 milionë euro, abuzim i evidentuar zyrtarisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili drejtohej nga një ish deputet i dalë nga listat e PD, Robert Çeku. Apo aferën e CEZ-DIA bashkë me Metën, ku shteti shqiptar minimalisht ka humbur plot 500 milionë euro nga abuzimi me energjinë, një aferë që ka lënë gjurmë përmes pagesës së sekserit Nuel Kalaj, çështje e cila tashmë është në organet e drejtesisë së re pasi hetimi parlamentar për këtë çështje është në SPAK.
Berisha e di se nuk mund të harrohet falja e detit Greqisë, marrëveshje që u rrëzua me rezultatin 9 me 0 nga ana e Gjykatës Kushtetuese, me argumentin ligjor se ishte cënuar tërësia territoriale e Shqipërisë. Nëse politikisht një akt i tillë quhet tradhëti kombëtare, në gjuhën juridike quhet shkelje e rëndë e në një vend normal me drejtësi normale, nuk mund t’i shpëtosh gjykimit madje dhe ndëshkimit për këtë abuzim të rëndë me territorin e vendit.
Askush të mos mendojë se do të garrohet vrasja e 21 janarit e 4 demonstruesve të opozitës që protestonin me duar në xhepa në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para kryeministrisë, vrasje e kryer nga Garda e Republikës me urdhër të krye-eprorit që ndodhej në godinën e Kryeministrisë, Sali Berisha, pra vrasje nga shteti. Përkundrazi dosja e 21 janarit pret në radhë në SPAK që të hetohet në mënyrë të thelluar, pasi duke qënë se vrasja e Aleks Nikës është mbyllur pa autor, në kushtet e provave të reja, hapet në çdo moment.
Berisha e dinte mirë se të gjitha këto, shtuar dhe aferat e tjera, mes të cilave dhe gjobvënia ndaj bizneseve vendas dhe të huaj nga ana e familjarëve të tij, apo akuzat për pastrim parash dhe përvetësim të hapur përmes abuzimi me privatizimin e klubit “Partizani” mund të kalonin pa u verifikuar, gjykuar dhe dhënë llogari një më një. Drejtësia vonon po nuk harron.
Berisha e dinte mirë se dhe partnerët tanë të mëdhenj SHBA dhe BE po i mbanin shënim të gjitha zullumet e tij me paratë e shtetit dhe me qeverisjen e vendit, duke bërë që një ditë të shqyrtoheshin dhe të mbahej qëndrim për to.
Bën kot sikur nuk e priste Sali Berisha vendimin e DASH për shpalljen e tij dhe të familjes së tij “non grata” në SHBA. Pikërisht pse i kishte llogaritur të gjitha këto pasoja të rënda, Berisha dha dorëheqjen por nuk iku nga PD, por ia la me “qira” Lulzim Bashës, në mënyrë që ta merrte mbrapsht këtë “mirësi” me një çmim të kripur: PD si “pronë” e tij të shërbente si “kolateral” për mbrojtjen nga akuzat sidomos të SHBA, motivacioni i të cilës për shpalljen “non grata” ishte tepër i rëndë, korrupsion i theksuar, minim i demokracisë dhe presioni mbi drejtësinë.
Por “qiraxhiu” Basha nuk e pagoi këtë çmim, por ia rëndoi më tepër situatën Berishës, duke e përjashtuar madje dhe nga grupi parlamentar i PD e më pas dhe nga vetë PD. Nga “prona” e tij.
Eshtë e kotë të themi se çfarë niveli ishte tërbimi i Berishës ndaj Bashës, gjë të cilin e kanë parë të gjithë shqiptarët. Berisha pasi nuk la akuzë pa artikuluar në drejtim të Bashës, të qena e të paqena, arriti ta rrënojë politikisht, duke e nxjerrë grupimin zyrtar të PD të drejtuar nga Basha në vendin e tretë në zgjedhjet e 6 marsit, dhe duke e detyruar kreun e PD zyrtare të dorëhiqet nga drejtimi i partisë sikurse ndodhi këto ditë. Ndonëse Basha tenton të imitojë “babain” e tij politik duke dhënë dorëheqje për të qënë sërish aty në prapaskenë, faktet tregojnë se përtej selisë së PD, shtuar dhe disa kryetarë degësh të kësaj partie të emëruar dhe jo të zgjedhur, Basha nuk ka asnjë mbështetje tek anëtarësia e PD.
Ecuria e krizës në PD tregon se Berisha është “pronari” i vërtetë i kësaj partie. Eshtë fatkeqësi që një 80 vjeçar, i larguar nga drejtimi i PD para 9 vitesh, i shpallur “non grata” nga SHBA dhe i akuzuar për veprat më të rënda në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të dominojë të djathtën dhe opozitën shqiptare. Por ky është fakt. Fatkeqësi është dhe të trajtohet partia si pronë private.
Ndërkohë, tashmë po artikulohet nëpër panelet televizive apo opinistë të ndryshëm më shumë se sa nga vetë grupet në PD, reformimi i kësaj partie, bashkimi i saj dhe përgatitja për përballjen zgjedhore për pushtetin vendor vitin e ardhshëm.
Si gjithnjë panelistët tanë artikulojnë zgjidhje se si e duan ata PD-në, pa Bashën e pa Berishën, por që nuk marrin mundimin të shohin realitetin që shfaqet para syve: PD, për fatkeqësinë e demokratëve, të shqiptarëve dhe më gjërë, ka një “pronar”, dhe ky është Berisha. Thjeshtë dhe vetëm duhet të zgjidhet dilema: Berisha do ta marrë vetë drejtimin e partisë apo do të kërkojë një “qiraxhi” tjetër për t’ia dhënë në përdorim dhe për ta përdorur kur t’ia lypë nevoja.
Berisha në 30 vite e ka treguar se pikërisht këtë punë ka bërë: Ia ka dhënë dikujt në përdorim drejtimin e kësaj partie, sa herë që vetë e ka pasur të pamundur ta drejtojë zyrtarisht. Kështu ka bërë në vitin 1992, kur u zgjodh president i vendit dhe sipas Paketës Kushtetuese duhet të jepte dorëheqjen nga drejtimi i PD. Ia dha me “qira” Eduart Selamit, për ta nxjerrë nga “dritarja” sapo ai artikulloi diçka kundër Berishës, siç ishte rasti i referendumit për Kushtetutën, një investim direkt i Presidentit të atëhershëm, referendum që e humbi.
Selami “harroi” se PD-në e kishte marrë me qira nga Berisha dhe kërkoi unifikimin e postit të kryetarit të partisë me të kryeministrit. Fatin e Selamit e dinë të gjithë. Jo vetëm që u shkarkua, por dhe u dëbua me ceremoni, duke mos u lejuar të marrë pjesë as në “ceremoninë” e shkarkimit të vet nga posti i kryetarit. Iku në ekzil në SHBA, për t’u kthyer dy dekada më vonë. Por ishte “djegur” përfundimisht, megjithëse u bë deputet por dhe kandidoi përballë Bashës për postin e kryetarit, pas njërës nga humbjet e radhës së PD përballë PS të Ramës.
Berisha ia dha PD-në me “qira” Tritan Shehut, i cili e dorëzoi menjëherë drejtimin e partisë sapo “pronari” real i saj dha dorëheqjen nga posti i Presidentit, pas krizës e tragjedisë së marsit 1997, kur pas shembjes së firmave mashtruese piramidale, hapjes së depove të armëve dhe shembjes së shtetit për tre ditë, PD humbi zgjedhjet. Berisha rikthehet dhe merr në administrim “pronën” e tij, drejtimin e partisë më të madhe opozitare, për t’u rikthyer në pushtet 8 vite më vonë në korrik të vitit 2005. Falë rrethanave, përçarjes së PS dhe një “dorë” ndihme nga Fatos Nano i cili kishte marrë premtimin nga Berisha se do bëhej president. Që nuk u bë kurrë.
Dhe në këtë situatë askush të mos mendojë se grupimi i Bashës, apo Alibeaj që është caktuar për të drejtuar PD-në zyrtare deri pas zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm, mund t’i diktojë kushte Berishës për pronën e tij. Ai nuk e njeh marshin “indietro”, do t’i shkojë deri në fund, do të riorganizojë partinë sipas modelit të tij, thotë se ka një statut të përparuar dhe bashkëkohor të miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit, ku pret nga Gjykata ta miratojë dhe të marrë zyrtarisht dhe drejtimin e PD, siglën dhe selinë e kësaj partie. Statuti i PD i mirë ka qënë gjithnjë, por është zbatuar sipas dëshirës dhe tekave të liderit.
Përtej dëshirave të Bashës dhe grupit të tij, apo panelistëve mbështetës të tyre dhe kundërshtarë të Berishës, duhet të pranojmë tashmë se dilema më e madhe për PD-në është: Do ta drejtojë vetë Berisha PD-në apo do të gjejë një “qiraxhi” tjetër të bindur, që nuk do të dalë “besëprerë” sipas kutit të tij, sikurse i doli “biri” i tij politik Lulzim Basha, një investim që për të është i shkuar dëm, pavarësisht se e “ngopi” me dhurata për 17 vite rresht.
Berisha e di dhe vetë se as në zgjedhjet vendore 2023 e as në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 nuk mund t’i fitojë përballë PS dhe Edi Ramës, të cilët kanë krijuar një makineri të frikshme elektorale fituese përmes konsolidimit të mbi 800 mijë votave në të gjitha rastet. Jo vetëm që PD është tepër e përçarë dhe asnjë lloj “injeksioni” politik nuk i bën derman në kaq pak kohë, kanë hyrë thellë armiqësia mes demokratëve me pikë kulmore përplasjen e dhunshme tek selia e PD më 8 janar, por dhe sepse vetë Berisha është tepër i konsumuar në 30 vite politikë, qeverisje dhe me akuza të rënda në kurriz, përfshirë dhe shpalljen “non grata” nga SHBA, probleme këto që nuk mund të konvertohen në vota.
Berisha e ka të vështirë që të marrë mbi kurriz dhe dy humbje të tjera dhe të largohet si humbës për herë të dytë nga drejtimi i PD përmes dorëheqjes, siç ndodhi në vitin 2013. Nuk e ka as moshën që të durojë një humbje të tillë, por as kohën reale biologjike për ta rikuperuar më pas.
Për këtë arsye, Berisha ka më shumë gjasa, që duket luajtur me faktin se ka si qëllim vetëm “bashkimin e PD, hapjen dhe rikthimin e institucionit të votës së lirë” të përgatisë terrenin për një konkurrim të emrave të tjerë për postin e kryetarit, kuptohet duke pasur si “violinë të parë” një të përzgjedhur nga ana e tij për të marrë drejtimin e PD. Vetë do qëndrojë “mbi palët”, ose “mbreti” i PD, në oborrin e të cilit do të zhvillohet gara për postin e kryetarit të PD.
Dihet rezultati, do të fitojë me patjetër kandidati i pëlqyer nga “pronari” i PD Sali Berisha, dhe fituesi do të jetë dhe “qiraxhiu” i radhës në krye të partisë më të madhe opozitare, në dukje e bashkuar. Jo pa qëllim në të gjitha foltoret një ndër sygjerimet më të lakuara në drejtim të Berishës nga ana e demokratëve ka qënë: “Zgjidh një që të ndryshojë nga Basha, nëse vetë nuk do të drejtosh PD-në e demokratizuar dhe të hapur”.
Ka qënë një përgatitje terreni që Berisha të përzgjedhë një të besuar si “qiraxhiun” e radhës. I cili dhe mund të jetë i shkolluar në SHBA, ndoshta për të tentuar të marrë me të mirë amerikanët që nuk e shohin me sy. Të presim si do të veprojë. Kuvendi i thirrur nga Berisha tashmë është afër. Thjeshtë do të mësojmë emrin e të besuarit të tij, i cili do të pasojë Bashën si “qiraxhiu” i radhës në PD. Duke vijuar në mënyrë ciklike historinë e kryetarëve të emëruar në këtë parti!