Spitali rajonal i Shkodrës ka tashmë në dispozicion sallat e reja të Kirurgjisë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar pamje para dhe pas përfundimit të investimit të qeverisë prej afro 1 milion dollarë në bllokun e ri operator në këtë spitali.
Ky spital ofron një gamë më të gjerë shërbimesh ndaj pacientëve, cilësi të lartë, si dhe pajisje mjekësore diagnostifikuese dhe kuruese të teknologjisë më të avancuar.
Gjithashtu në këtë spital kryhen një gamë e larmishme e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke filluar nga ato abdominale deri tek ato ortopedike si edhe gjinekologjike.
Ministrja ka theksuar se kemi një spital ku kryhen gati 100% të ndërhyrjeve që kryhen edhe në QSUT. “Shkodra për nga shërbimet që ofron dhe shërbimin kirurgjikal e konkurron lehtësisht Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për nga pikëpamja e vështirësisë apo nivelit të ndërhyrjeve kirurgjikale”, ka deklaruar Manastirliu.
Investime janë kryer edhe në laboratorin e ri të analizave ndërsa është rritur edhe gama e tyre, ku nga 70-80 lloje analizash, sot bëhen 140-150 në varësi të nevojës.
Ministria e Shëndetësisë synon që një ndër piketat e radhës është edhe kryerja e kataraktës në Spitalin e Shkodrës.
Ndërsa në Poliklinikën e Shkodrës është instaluar pajisja e re Dexa për matjen e densimetrisë kockore, një ndër katër aparaturat e vendosura për herë të parë në shërbimin shëndetësor publik.
Ministrja Manastirliu ka deklaruar se investimet në Shkodër do të vijojnë me rehabilitimin e Poliklinikës së Shkodrës.