Sir Howard Morrison, gjykatësi britanik i cili e dënoi kasapin serb Radovan Karaxhiç me burgim të përjetshëm për krime lufte, është caktuar ta këshillojë Ukrainën dhe qeverinë britanike për hetimin dhe ndjekjen penale të Vladimir Putinit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Prokurorja e Përgjithshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman njoftoi se e ka emëruar Sir Howard Morrison për të ndihmuar në ndjekjen penale të krimeve të luftës në Ukrainë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, shkruan The Telegraph.
Për një dekadë Morrison ishte gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë për krimet në ish-Jugosllavi dhe kryesoi gjyqin e ish-liderit serb të Bosnjës, i cili rezultoi me dënim të përjetshëm.
Angazhimi i Morrison vjen pasi forcat ruse vazhdojnë të akuzohen për shkelje të ligjit ndërkombëtar duke synuar civilët gjatë luftës në Ukrainë. “Mund të duket e paimagjinueshme që kriminelët rusë të luftës mund të jenë një ditë në bankën e të akuzuarve. Nuk kam dyshim se ishte e paimagjinueshme si për Karaxhiçin ashtu edhe për mbështetësit e tij. Dhe sot ai është pas grilave, duke vuajtur dënimin në një burg britanik”, tha Braverman.
Mbretëria e Bashkuar ka ofruar gjithashtu 1 milion paund në mbështetje të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe do të sigurojë hetues nga Njësia e Krimeve të Luftës dhe Inteligjencës Ushtarake të Scotland Yard. “Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar ndaj krimeve të përditshme në Ukrainë që nuk do të harrohen apo falen”, tha Braverman. “Pavarësisht nëse jeni ushtar rus që zbaton urdhra të paligjshëm ose jep urdhra të tillë, nuk do të jeni të sigurt. Me gjithë forcën e aleancave dhe miqve tanë në mbarë botën, Britania e Madhe do të bëjë gjithçka që mundet për t’ju sjellë para drejtësisë”.
Ajo shpresonte se emërimi i Howard Morrison do të shërbente si një “kujtesë për ushtarët rusë dhe zyrtarët e qeverisë, veçanërisht ata që vënë në dyshim rolin e tyre në këtë luftë të paligjshme, se veprimet e tyre do të kenë pasoja dhe se drejtësia ndërkombëtare ka një shtrirje të gjerë dhe të fuqishme”. Morrison konsiderohet si një nga avokatët penalë ndërkombëtarë më të vjetër dhe më me përvojë në Mbretërinë e Bashkuar. /GazetaExpress/